Më 13 qershor do të nënshkruhet një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Maqedonci theksoi se kjo është marrëveshja e parë kornizë e mbrojtjes që nënshkruhet nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së.
“Marrëveshja adreson shumë fusha të bashkëpunimit për një periudhë 5-vjeçare dhe përmban elemente shumë të rëndësishme”, tha Maqedonci.
Ministri shtoi se kjo marrëveshje përfshin bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë prodhimin e sistemeve të armatimit dhe municioneve së bashku me SHBA-në.
Po ashtu, marrëveshja përfshin edhe mbrojtjen ajrore, që do të sigurojë sisteme për mbrojtjen e Kosovës nga sulmet e mundshme ajrore.
“Marrëveshje të këtij niveli kemi bërë vetëm me Turqinë më parë, dhe kjo do të jetë e dyta në këtë nivel”, ka theksuar Maqedonci.
Ai ka folur fillimisht për zhvillimet rreth ushtrimit ndërkombëtar Defender Europe 25, duke e quajtur vendimin për anulimin e Ditës së Vizitorëve të Shquar në vitin 2023 një vendim të nxituar – por që ishte jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës.
“Vendimi mendoj se ka qenë i nxituar, për anulimin e Ditës së Vizitorëve të Shquar. Megjithatë, jam empatik në raport me vendimmarrjen që e bën një institucion që nuk është i Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci në Debat Plus.
Ai ka theksuar se përkundër sfidave të kaluara, ushtrimi Defender Europe 2025 është një nga arritjet më të mëdha të Kosovës në bashkëpunimin me SHBA-në dhe partnerët e NATO-s.
“Këtë herë kemi marrë pjesë me gati 1 mijë trupa në terren, në Babaj të Bokës, por edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci. Kosova ishte një nga 18 vendet nikoqire, me afërsisht 1 mijë trupa pjesëmarrës”, ka deklaruar ai.
Maqedonci ka thënë se besimi i SHBA-së ndaj institucioneve të Kosovës ka qenë i lartë, sidomos ndaj profesionalizmit të ushtrisë së Kosovës, e cila për herë të parë ka udhëhequr komandën taktike të divizionit që ka drejtuar aktivitetet në gjithë Evropën Juglindore.
“Këtë radhë ka qenë në veçanti besimi që SHBA-ja ka pasur në institucionet tona, duke përfshirë Qeverinë dhe në veçanti në profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës për të vendosur komandën taktike të divizionit që ka drejtuar gjitha brigadat në Evropën Juglindore, pra nga Kosova janë drejtuar të gjitha aktivitetet në Evropën Juglindore. Kjo nuk është bërë duke u mbështetur në misionin aktual të NATO-s, por përmes bashkëpunimit direkt me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në”, ka shtuar Maqedonci.
Ai ka thënë se Ushtria e Kosovës gëzon dashurinë e SHBA-ve, por atë dashuri e gëzon edhe politika e vendit.
Maqedonci ka thënë kështu derisa është pyetur nga moderatori Ermal Panduri se pse ushtria e Kosovës po mbështetet nga Amerika, ndërsa politika jo, duke ia kujtuar fjalët e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se ka ngecje dhe se nuk kemi raportet siç i kemi pasur më parë me Qeverinë e Kosovës.
“Unë vlerësoj që, duke e dashur politikën e mbrojtjes, e duan edhe politikën,” ka thënë Maqedonci.
“Ka pasur mospajtime. Unë besoj që, duke u ftuar ministri i Mbrojtjes, ftohet Qeveria e Kosovës, Republika e Kosovës, ushtria e Kosovës gjithashtu. Duhet kuptuar që ushtria është një mjet i politikës dhe është – në çdo vend demokratik – ushtria nuk është e shkëputur nga politika… nga politikat që promovon Qeveria e Republikës së Kosovës, në krye me kryeministrin Kurti”.
“Unë nuk do të kisha mund të performoja mirë në qoftë se nuk do të kishim mbështetjen e parezervë të kryeministrit Kurti për politikat e mbrojtjes. Pastaj, mospajtimet që mund të kemi si qeveri dhe si politikë – jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por me këdo tjetër – mund të jenë në dimensione të ndryshme edhe për çështje të ndryshme. Mirëpo, askund këto mospajtime nuk kanë lënduar raportet e thella që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin tonë kyç strategjik”, ka thënë ai.