Zgjatet mandati i EULEX-it në Kosovë deri në vitin 2027

Zgjatet mandati i EULEX-it në Kosovë deri në vitin 2027

Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i është zgjatur zyrtarisht mandati edhe për dy vite të tjera. Vendimi është marrë të martën nga Këshilli i BE-së, vetëm pak ditë para se të skadonte mandati aktual, më 14 qershor 2025.

Në dokumentin zyrtar thuhet se mandati i EULEX-it do të zgjatet deri më 14 qershor të vitit 2027, në kuadër të shqyrtimit strategjik të këtij misioni.

“Në kuadër të shqyrtimit strategjik të EULEX KOSOVO, Komiteti Politik dhe i Sigurisë ra dakord që Mandati i Misionit të zgjatet deri më 14 qershor 2027. Asgjë në këtë Vendim nuk duhet të kuptohet si cenim i pavarësisë dhe autonomisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që veprojnë në kuadër të procedurave gjyqësore në kontekstin e EULEX KOSOVO”, thuhet në vendim.

Për zbatimin e këtij mandati të ri, Bashkimi Evropian ka ndarë një shumë të konsiderueshme – 170,866,980 euro – që do të mbulojë shpenzimet për periudhën nga 15 qershori 2025 deri më 14 qershor 2027.

Kujtojmë se misioni EULEX është aktiv në Kosovë që nga viti 2008. Aktualisht, misionin e udhëheq Giovanni Pietro Barbano, ndërsa EULEX vazhdon të ketë edhe funksione ekzekutive të kufizuara.

Related Articles