Qytetarët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor kanë prioritete dhe pikëpamje të ndryshme jetësore, tregon një anketë e Eurobarometrit, e kryer në pranverë të këtij viti.
Derisa ata të BE-së mbeten të përqendruar në çështje të sigurisë që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës, në Ballkanin Perëndimor më të shqetësuar janë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, krimin, korrupsionin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.
Anketa shpërfaq, gjithashtu, dallime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbisë dhe pjesës tjetër të rajonit, për sa i përket optimizmit, besimit në BE, mosbesimit në NATO dhe mbështetjes për anëtarësimin e mundshëm.
Për tre vjet me radhë, më shumë se një e katërta e të anketuarve nga 27 vende pajtohen se lufta në Ukrainë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e BE-së, ndërsa një e pesta i jep përparësi mbrojtjes dhe sigurisë, transmeton REL.
Ballkani Perëndimor, në anën tjetër, përqendrohet te mbijetesa e përditshme.
Krahasuar me anketën e njëjtë të kryer në vjeshtë, Maqedonia e Veriut regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me krimin, ndërsa Kosova regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me rritjen e çmimeve.
Kosova dallohet krahasuar me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor për optimizmin, ku 76 për qind e të anketuarve shprehen të kënaqur me tregun e punës.
Rreth 40 për qind e të anketuarve në vendet e tjera mendojnë se mundësia për të gjetur punë në vendin e tyre është e mirë, që është në përputhje me mesataren e Bashkimit Evropian.
Krahasuar me sondazhin e Eurobarometrit në vjeshtë, Shqipëria shënon rritjen më të madhe të optimizmit – për 17 për qind, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina rritjen më të madhe të pesimizmit – për 6 për qind.
Sa i përket gjendjes së përgjithshme në vend, dy të tretat e të anketuarve në Serbi mendojnë se ajo është e keqe. Njëkohësisht, kjo është edhe rritja më e madhe e perceptimit negativ: 19 për qind.
Ndryshe nga të tjerët, 80 për qind e të anketuarve në Kosovë e kanë vlerësuar gjendjen në vendin e tyre si të mirë.
Pesimizmi për këtë çështje është rritur më së shumti në Serbi – për 19 për qind – krahasuar me tetorin e vitit 2024.
Të anketuarit në Kosovë dhe në Mal të Zi janë optimistë sa i përket drejtimit që po ndjekin vendet e tyre.
Ndërkohë, në Bosnje dhe Hercegovinë është rritur ndjeshëm pesimizmi – 14% më shumë njerëz se në vjeshtën e vitit 2024 mendojnë se vendi është në rrugë të gabuar.
Rritje e ngjashme e mendimit negativ është shënuar edhe në Serbi, me 11%.
Ndërsa shumica e qytetarëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor besojnë se jeta e tyre nuk do të ndryshojë vitin e ardhshëm, në Kosovë dhe në Shqipëri dominon optimizmi.
Në këto dy vende, shumica besojnë se jeta e tyre do të përmirësohet, ndërsa çdo i pesti i anketuar në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut ka frikë se e ardhmja do të jetë më e vështirë.
Në krahasim me të njëjtën anketë të kryer në vjeshtën e vitit 2024, në Mal të Zi është rritur për 20 për qind numri i atyre që mendojnë se gjithçka do të mbetet e njëjtë, ndërsa në pjesën tjetër të rajonit rezultatet janë afërsisht të njëjta.
Në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, shumica e qytetarëve parashikojnë përkeqësim të situatës së përgjithshme në vendet e tyre, gjatë vitit të ardhshëm.
Kosova dhe Shqipëria dallojnë nga ky trend, pasi shumica e të anketuarve presin përmirësim në të ardhmen, madje më shumë se në vjeshtën e kaluar.
Pesimizmi është rritur më së shumti në Bosnje e Hercegovinë, për 6 për qind.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ndërkaq, mbetet i dëshirueshëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë.
Entuziazmi është më i lartë në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku shumica e të anketuarve besojnë se anëtarësimi do të sjellë përfitime për vendet e tyre.
Në Serbi, mendimet për anëtarësimin në BE janë të ndara në mënyrë të barabartë midis atyre që e përkrahin, e kundërshtojnë ose janë indiferentë.
Në Mal të Zi është shënuar rritja më e madhe e optimizmit për anëtarësim në BE, krahasuar me anketën e mëparshme të vjeshtës – për 13 për qind.
BE-ja gëzon besim të madh në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë – gjë që përputhet me orientimet e tyre proevropiane.
Në anën tjetër, 57 për qind e të anketuarve në Serbi thonë se nuk besojnë në BE.
Sa u përket qytetarëve të BE-së, 52 për qind besojnë në institucionet evropiane, ndërsa 41 për qind nuk besojnë.
Në krahasim me anketën e mëparshme, besimi ka mbetur thuajse i pandryshuar – me një rritje për 9 për qind në Kosovë.
Mungesa e besimit ndaj NATO-s në Serbi është edhe më e theksuar, ku 92 për qind e të anketuarve nuk besojnë në këtë organizatë.
Ndryshe është situata në Kosovë, ku 95 për qind e njerëzve shprehin besim në NATO.
Shumica e qytetarëve të BE-së dhe mbi 60% e banorëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – të dyja vende anëtare – kanë besim në Aleancën Veriatlantike.
Rritja më e madhe e besimit në NATO është regjistruar në Bosnje e Hercegovinë – për 11 për qind.