Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e ka konfirmuar ndalimin nga autorietet serbe të ish-policit të Kosovës Arbnor Salihu.
Sipas MPJD-së ndalimi i tij ndodhi sot rreth orës 09:00 të mëngjesit, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.
Zyrtarja për Komunikim, Qëndresa Fazliu, tha se polici Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.
Fazliu theksoi se menjëherë pas marrjes së informacionit për ndalimin, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
“Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së MPJD-së.
Ish-polici, Arbnor Spahiu, aktualisht po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, në rajonin e Vojvodinës.
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshorten e tij dhe po ndjek nga afër zhvillimet.
Ai pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake nesër më 9 qershor, në ora 09:00, në Gjykatën Komunale të Kikindës.
“MPJD ka njoftuar gjithashtu se ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd lidhur me ndalimin, dhe se do të vazhdojë të ndjekë rastin përmes kanaleve diplomatike, duke mbajtur të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigje.
Derisa për ndalimin e ish-policit ka njoftuar sot avokati Arianit Koci, i cili ka deklaruar se ka marrë përsipër mbrojtjen e tij.