“Na gjuanin nga çdo drejtim gjithë fshati”, polici i Kosovës tregon tmerrin që përjetoi në Banjska

“Na gjuanin nga çdo drejtim gjithë fshati”, polici i Kosovës tregon tmerrin që përjetoi në Banjska

Alban Rashiti, pjesëtar i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë të Policisë së Kosovës, ka rrëfyer për herë të parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për plagët që mori gjatë sulmit të armatosur në Banjska, më 24 shtator 2023.

Në dëshminë e tij, Rashiti përshkroi skenën si një pritë të përgatitur deri në detaj, ku grupi terrorist serb kishte zënë pozicione strategjike, me ndriçim të fortë artificial.

“Na qëllonin nga çdo drejtim gjithë fshati, gjatë gjithë kohës një dron na vëzhgonte”,ka deklaruar ai.

Sulmuesit përdorën mina të telekomanduara, granata dore dhe armë automatike, duke e kthyer terrenin në një fushë zjarri të përqendruar. Rashiti mbeti i plagosur rëndë, pasi një granatë shpërtheu pranë tij, duke i shkaktuar plagë në kraharor.

“Momenti që ka ardhë rreshteri Afrim Bunjaku, pasi jemi përshëndet, në ato çaste ka ana e majtë ka ndodhur një shpërthim i papritur. Menjëherë kam kuptuar që jam plagosur në krahun e majtë. Shpërthim shumë i madh, nuk e kemi ditur se nga ka ardhur, një minutë nuk e di, vetëm kur e kam kthyer kokën anën e majtë e kam parë zjarrin dhe e kam parë veten që jam i goditur në krah. Jam munduar që të jem në pozitë mbrojtëse, ka ndodhur edhe një shpërthim tjetër, edhe rrymat e ajrit më kanë përplasur. Çështje sekondash kanë filluar gjuajtjet me armë zjarri, aty kemi parë që ka gjuajtje nga i tërë fshati. Dhjetëra pozicione ka pasur gjuajtje të kalibrave të ndryshëm, kemi hapur zjarr edhe ne. Në anën e majtë time kam vërejtur që tashmë rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë dhe i gjakosur nga qafa dhe fytyra dhe i palëvizshëm”, theksoi ai.

Related Articles