Deputetja e betuar e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka akuzuar Albin Kurtin për uzurpim të zyrës së kryeministrit.
Kjo vjen pasi kryeministri në detyrë ka deklaruar se Kushtetua po shkelet nga deputetët që nuk po votojnë për konstituim të Kuvendit.
“KUR KUSHTETUTA INTERPRETOHET SIPAS QEJFIT – Albin Kurti sot paska guxuar të flasë për shkelje të Kushtetutës, ndërkohë që ai vet e ka uzurpuar zyrën e Kryeministrit, pa pasur shumicë parlamentare dhe jashtë çdo norme kushtetuese. Ai e quan mosbindjen e deputetëve ndaj vullnetit të tij personal ‘shkelje të Kushtetutës’! Kjo është logjika e një njeriu që e sheh veten mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën. Vetëm gjatë mandatit të kaluar, Albin Kurti dhe Qeveria e tij kanë shkelur Kushtetutën të paktën 10 herë”, ka shkruar Lushaku-Sadriu në Facebook.
“Ja disa raste flagrante:
Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës; Ndërhyrja në komunën e Kamenicës për reformën në arsim; Ligji për zyrtarët publik; Ligji për pagat; Ligji për masat e përkohshme në treg; Shkarkimi i Bordit të RTK-së;;Shkarkimi i Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil; Shkarkimi i anëtares së Bordit të OSHP-së; Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; Ligji për Këshillin Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.
Nuk ka kushte më të rënda për demokracinë se kur një Kryeministër në detyrë e përdor Kushtetutën si vegël pushteti”, përfundoi ajo.