Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka përfunduar dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës, lidhur me rastin e kontratës për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Pas përfundimit të intervistimit, Bislimi nuk ka dhënë asnjë deklaratë për gazetarët që e prisnin jashtë objektit të Prokurorisë.
Hetimet në këtë rast lidhen me një kontratë të dyshimtë, përmes së cilës një kompani e regjistruar në Kosovë – me aksionarë që, sipas dokumenteve, kanë pasur adresa në Beograd të Serbisë – ka përfituar nga një marrëveshje afatgjatë me institucionet e Kosovës.
Në fund të muajit maj, Policia e Kosovës zhvilloi bastisje në disa lokacione në Prishtinë dhe Ferizaj, përfshirë edhe Ministrinë e Bujqësisë. Bastisjet pasuan dyshimet se ministri në detyrë, Faton Peci, pa shpallje publike dhe jashtë procedurave të zakonshme të ankandit, i kishte dhënë kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” me qira 20-vjeçare impiantin shtetëror për përpunimin e mbetjeve shtazore.