Granit Xhaka vazhdon të jetë një nga objektivat kryesorë të Milanit për këtë afat kalimtar veror.
Mesfushori kosovar shihet si një profil ideal për stilin e lojës që kërkon trajneri Massimiliano Allegri, falë përvojës së tij të madhe dhe aftësive që e karakterizojnë.
Sipas mediave italiane, kuqezinjtë kanë filluar tashmë të shtojnë presionin ndaj Bayer Leverkusenit për të arritur një marrëveshje. Madje, drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, ka udhëtuar personalisht në Gjermani për të negociuar me drejtuesit e skuadrës gjermane.
Përditshmja italiane “La Gazzetta dello Sport” raporton se Milani ka paraqitur një ofertë zyrtare prej 10 milionë eurosh për kartonin e Xhakës, ish-futbollistit të Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit.
Megjithatë, kjo ofertë nuk ka bindur drejtuesit e Leverkusenit, të cilët kërkojnë rreth 15 milionë euro për të lejuar kalimin e liderit të skuadrës.
Nga ana e tij, Granit Xhaka ka shprehur gatishmërinë për të provuar një aventurë të re në Serie A, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Bayer Leverkusenin.
Gjatë sezonit 2024/25, 32-vjeçari zhvilloi 49 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 2 gola dhe dhënë 7 asistime. Sipas faqes së specializuar Transfermarkt, vlera e tij në treg është 12 milionë euro.