Kurti propozon sërish Deklaratë të Paqes me Serbinë, Vuçiqi e refuzon pa e lexuar fare

Kurti propozon sërish Deklaratë të Paqes me Serbinë, Vuçiqi e refuzon pa e lexuar fare

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka propozuar sërish që të nënshkruhet një Deklaratë e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo është refuzuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq edhe pa u lexuar fare, raporton Gazeta “Enigma”.

Kurti tha se çështje e të pagjeturve është çështje nga e kaluara dhe se nuk e kupton Vuçiqin, i cili tha se nuk pranoi që togfjalëshi “ballafaqim me të kaluarën” të përfshihet në zotimin për të bërë gjithçka për të pagjeturit.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u refuzua. U refuzua ende pa u lexuar dhe kjo për mua tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje”, tha Kurti.

Ai tha se propozimi i tij në çështjen e zotimit për të pagjeturit u pranua me butësi nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, por që u refuzua nga presidenti serb.

“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjalja “ballafaqimi me të kaluarën”. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

“Unë nuk e kuptoj se pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë përballjes me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Kurse, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit të dytë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i indinjuar.

Ai e quajti takim të keq dialogun e sotëm në Bruksel, ndërsa tregoi se Serbia u pajtua me disa propozime nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja”, tha Vuçiq.

“Aty ishin tre pika. Të intensifikohen përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga situatat e mëtejshme që mund t’i rrisin tensionet në terren dhe që negociatorët të takohen rregullisht”, vazhdoi presidenti serb.

Ai deklaroi se Serbia pranoi plotësisht dhe pa asnjë vërejtje disa propozime të palës së Kosovës, ndërsa tha se “shqiptarët nuk dëshironin”.

“Është veçanërisht interesante që ata nuk donin asgjë tjetër. Ata kushtëzuan me kritere të reja gjatë gjithë kohës. Prezantimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocidet në Kosovë. Pastaj ai na shpjegoi se emrat shqiptarë tërheqin emra nga toponimet në Serbi , ju mund të besoni se njeriu pas 150 vjetësh flet për këto”, theksoi Vuçiq./Gazeta Enigma.

Related Articles