OEK njofton se edhe një biznes tjetër e ka fituar rastin në Komerciale kundër ZRRE kundër daljes në treg të lirë

OEK njofton se edhe një biznes tjetër e ka fituar rastin në Komerciale kundër ZRRE kundër daljes në treg të lirë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se edhe një biznes tjetër ka fituar rastin në Gjykatën Komerciale kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), në lidhje me vendimin për daljen e detyrueshme të konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë.

“Tani ekzistojnë prova të mjaftueshme që dëshmojnë se ZRrE duhet të reflektojë. Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të njoftimit për tregun e lirë, përpara se të shkaktohen dëme edhe më të mëdha për biznesin,” thuhet në reagimin e OEK.

Sipas OEK, ky vendim i tretë vetëm sa e forcon të drejtën e bizneseve të Kosovës, e cila është vërtetuar që në vendimin e parë të gjykatës. Megjithatë, ndërkohë disa biznese vazhdojnë të preken nga ky njoftim, pa pasur një vendim të veçantë nga gjykata.

“Kjo po krijon një pabarazi të rrezikshme në treg dhe po ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e bizneseve”, thekson Oda.

Për këtë arsye, Oda Ekonomike i inkurajon të gjitha bizneset e prekura që të ndjekin rrugën ligjore për të mbrojtur interesat e tyre. Në ndihmë të tyre, OEK ka themeluar një ekip të juristëve të specializuar, që po ofrojnë asistencë ligjore në përgatitjen e dokumenteve për kundërshtimin e njoftimit të ZRrE-së.

OEK rithekson se nuk është vonë që ZRrE të pezullojë vendimin në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës, si dhe të sigurohet një qasje e drejtë dhe e barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në treg.

Related Articles