Më 5 korrik, Kuvendi kishte në rend dite seancën e 42-të për konstituim, por, policia detyroi deputetët dhe mediat të largohen nga objekti i Kuvendit sepse kishin pranuar një mesazh kërcënues për bombë, shkruan Gazeta Enigma.
Pas disa orësh kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi deklaroi se alarmi për bombë ishte i rrejshëm.
“Kërcënimi i rrejshëm dhe deri më tani s’ka asgjë që vlen të ceket nga vendi i ngjarjes”, kishte theksuar Gashi.
Minsitri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, sot ka reaguar përmes një postimi në Facebook, deklaroi se ky kërcënim e ka ‘origjinën në Serbi’.
“Me datën 05.07.2025, një kërcënim për bombë është adresuar ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës.Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë këtë sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi.Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS”, ka shkruar Sveçla.
Tutje, Sveçla deklaroi se shfrytëzuesi i numrit prej nga erdhi edhe mesazhi është Lazar Živković.
“Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić. Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”, përfundoi Sveçla./GazetaEnigma/