Arieta Spahiu, gruaja e Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që ndodhet tash e një muaj në paraburgim në Serbi, ka reaguar përmes një letre publike, ku shpreh mungesën e përkrahjes institucionale në lirimin e burrit të saj, raporton Gazeta Enigms.
Ajo pohon se ka kontaktuar të gjitha instancat shtetërore, nga presidenca e deri te ministritë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Kam dërguar letra, kërkesa, lutje – në presidencë, në kryeministri, në ministri, në çdo institucion që ekziston. Por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Jo një telefonatë. Jo një interesim. Heshtje totale. Si mund të jetë kjo mënyra se si një shtet i trajton njerëzit e tij?”, ka theksuar ajo.
Arieta thotë se është duke u përballur e vetme me një barrë të madhe, duke kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare që të mos e lënë në heshtje këtë rast, për të cilin ajo insiston se është i padrejtë.
“Çdo derë më është mbyllur. Nuk po ndjehem më si pjesë e këtij shteti. Po përpiqem të mbroj të drejtën e një njeriu që besoi në shtetin e tij, dhe tani është lënë vetëm shton ajo.
Në fund të letrës, Arieta i bën një thirrjee institucioneve që të mos heshtin më.
“Ju lutem, mos e injoroni zërin tim. Reagoni, sa nuk është vonë”.
Ish-polici, Arbnor Spahiu ndodhet në paraburgim në Suboticë, Vojvodinë- Serbi, tashmë qe një muaj nga arrestimi.