PKK-ja dorëzon armët, Erdogan: Fundi i një kapitulli të dhimbshëm

PKK-ja dorëzon armët, Erdogan: Fundi i një kapitulli të dhimbshëm

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përshëndeti të shtunën fillimin e një procesi çarmatimi nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit si fundin e një “kapitulli të dhimbshëm” në historinë e trazuar të Turqisë.

Erdogani tha në një takim të partisë së tij në pushtet, AKP, në Ankara, se “plaga e terrorizmit” më shumë se 40-vjeçare për të cilën ishte përgjegjëse Partia e Punëtorëve të Kurdistanit – ose PKK – është në rrugën e saj drejt përfundimit, raporton Associated Press.

Komentet e Erdoganit erdhën një ditë pasi anëtarë të PKK-së në Irakun verior hodhën pushkë dhe mitralozë në një kazan të madh ku iu vu flaka. Lëvizja simbolike u pa si hapi i parë drejt një çarmatimi të premtuar si pjesë e një procesi paqeje që synonte t’i jepte fund katër dekadash armiqësie.

Lëvizja erdhi pasi udhëheqësi i PKK-së, Abdullah Oçalan, i cili është burgosur në një ishull pranë Stambollit që nga viti 1999, i kërkoi grupit të tij në shkurt të mblidhte një kongres dhe të shpërbëhej dhe çarmatosej zyrtarisht. Në maj, PKK njoftoi se do ta bënte këtë.

PKK-ja kishte zhvilluar një kryengritje të armatosur kundër Turqisë që nga viti 1984, fillimisht me qëllim krijimin e një shteti kurd në juglindje të vendit. Me kalimin e kohës, objektivi evoluoi në një fushatë për autonomi dhe të drejta për kurdët brenda Turqisë.

Related Articles