Rikthimi në EQAR, Kurti: Dëshmi e përkushtimit për cilësi në arsim

Rikthimi në EQAR, Kurti: Dëshmi e përkushtimit për cilësi në arsim

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar për rikthimin e Kosovës me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Kurti e cilësoi këtë rikthim si “një sukses të madh dhe të rëndësishëm”, duke e vlerësuar si dëshmi të përkushtimit institucional për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në përputhje me standardet evropiane.

Kosova ishte anëtare e EQAR-it edhe më parë, por kishte humbur anëtarësinë në vitin 2018, si pasojë e ndërhyrjeve politike të Qeverisë së atëhershme të PAN-it në strukturën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Sipas Kurtit, kjo ndërhyrje kishte kompromentuar pavarësinë dhe funksionalitetin e agjencisë, duke rezultuar në përjashtim nga EQAR-i.

Që nga viti 2021, Qeveria aktuale ka ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer besueshmërinë e AKA-së, përmes mbështetjes nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Kryeministri theksoi se janë krijuar kushtet e nevojshme për funksionimin e pavarur dhe profesional të AKA-së, duke i mundësuar të rikthejë reputacionin dhe standardet e kërkuara ndërkombëtarisht.

“Jo vetëm që u rikthyem anëtarë, por tani jemi me të drejta të plota – si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor me këtë status,” u shpreh Kurti.

Anëtarësimi në EQAR ofron përfitime të shumta për institucionet e arsimit të lartë dhe studentët, përfshirë qasje të zgjeruar në programet e Bashkimit Evropian, mundësi për mobilitet akademik, bursa dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Ky zhvillim pritet të forcojë më tej pozicionin e Kosovës në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe të nxisë rritjen e cilësisë, transparencës dhe besueshmërisë në sistemin arsimor të vendit.

Related Articles