Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi sot në një postim në Facebook se një pjesë e ndërtesës që ka qenë e uzurpuar për më shumë se 20 vite, do t’u kthehet pensionistëve të Ferizajt, shkruan Gazeta “Enigma”.
Pjesa e katit të parë të ndërtesës, ku pensionistët do të duhej të merrnin shërbimet që iu takojnë, ka qenë e uzurpuar paligjshëm nga një biznes që operon aty. Kjo situatë ka detyruar pensionistët të ngjiten në katin e dytë për të marrë shërbimet, një procedurë që ka krijuar jo pak vështirësi për ata.
Sipas ministrit Murati, është njoftuar Prokuroria dhe një aktakuzë është ngritur për uzurpimin e paligjshëm të objektit. Për më tepër, MFPT ka iniciuar një padi civile për të kërkuar një masë të përkohshme për lirimin e objektit dhe kompensimin e dëmit financiar që arrin në vlerën e 1.4 milionë eurove.
Seanca për shqyrtimin e masës së përkohshme është caktuar për nesër, më 18 korrik, në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Ministri Murati shprehu shpresën se drejtësia do të vendoset më në fund dhe objekti do t’u kthehet pensionistëve të Ferizajt, që kanë pritur më shumë se dy dekada për t’u shërbyer nga institucionet shtetërore në kushte të denja.