Ka përfunduar takimi mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Nismës, Fatmir Limaj, takim ky që zgjati mbi dy orë.
Burimet e Klan Kosovës kanë thënë se mund të ketë edhe një takim tjetër mes Kurtit dhe Limajt dhe nëse i njëjti ndodhë, atëherë do të jetë finalizues për arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e ngërçit.
Po ashtu, të njëjtat burime kanë bërë me dije se temë kryesore e takimit mbi dy orësh ishte gjetja e një marrëveshje për konstituimin e kuvendit, ndërsa fare s’ka qenë në diskutim pozita e kryeparlamentarit.
Dje, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë për mediat se nëse propozohet emri i Limajt për kryekuvendar, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi.
“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Izmaku të premten.