Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është arrestuar sonte nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), pasi dyshohet se ka shkaktuar një aksident trafiku me pasojë vdekjen e një qytetari, pjesëtar i stafit civil në Policinë e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të IPK-së, aksidenti ka ndodhur në orët e mbrëmjes në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, saktësisht në fshatin Llazarevë, ku zyrtari policor, jashtë detyrës zyrtare dhe duke drejtuar veturën e tij private, ka goditur për vdekje qytetarin L.S..
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku. Aksidenti raportohet se ka ndodhur në rrugën Nacionale Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Llazarevë, ku një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare duke qarkulluar me veturën private ka shkaktuar aksident trafiku me fatalitet, ku si pasojë e aksidentit fatkeqësisht ka vdekur qytetari L.S (staf civil në Policinë e Kosovës)”, thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e IPK-së, njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
IPK ka bërë të ditur se ndaj zyrtarit policor është iniciuar rast penal për veprën “Rrezikim i trafikut publik”, dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.