Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se si pasojë e temperaturave të larta dhe erërave të erërave të forta, situata me zjarret është rënduar në periudhën raportuese.
Si pasojë, në gjithë territorin e Kosovës, situata e përcjellë nga Qendra Operative e Agjencisë rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit, 17 nga ato janë lokalizuar, deri sa 12 vatra zjarri mbeten aktive.
“Apelojmë te qytetarët të mbajnë kujdesin e shtuar, mos ndizni zjarre në ambiente të jashtme, lajmëroni menjëherë zjarrëvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192!
Agjencia me Njësitë e Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës është në gatishmëri dhe reagim 24/7”, thuhet në njoftim.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për ndihmë për të shuar zjarret që kanë kapluar disa fshatra të kësaj komune.
Në një postim në Facebook, Muharremaj i ka bërë thirrje kujtdo që ka pajisje për shuarje zjarri të ndihmojnë në fshatrat Dubravë, Sallagrazhdë dhe Mushtisht.
“Me të gjitha kapacitetet institucionale po mundohemi ta mbajmë situatën nën kontroll”, ka shkruar Muharremaj.