Me urdhër të Policisë së Kosovës, KOSTT ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në Nënstacionet Prizreni 1 dhe Prizreni 3, për shkak të zjarreve masive që po shpërthejnë në disa rajone të vendit.
Pjesë të Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjakovës janë prekur rëndë, duke lënë një numër të konsiderueshëm konsumatorësh pa energji elektrike.
Si pasojë e zjarreve të shumta, janë dëmtuar assetet elektroenergjetike të KEDS-it, duke rënduar më tej situatën. Gjendja ka arritur një nivel alarmant për shkak të erërave të fuqishme, të cilat po e përkeqësojnë edhe më tej situatën, duke e bërë rikuperimin më të vështirë.
KEDS-i ka njoftuar se ekipet e tij janë të pranishme në terren dhe po punojnë intensivisht për rikthimin e furnizimit me energji dhe normalizimin e situatës. Policia e Kosovës dhe autoritetet lokale po monitorojnë nga afër situatën dhe janë angazhuar për sigurimin e zonave të prekura.