Zvicra në alarm nga kontrabanda e cigareve, shumica vijnë nga Kosova

Zvicra në alarm nga kontrabanda e cigareve, shumica vijnë nga Kosova

Kontrabanda e cigareve në Zvicër ka shënuar rritje shqetësuese. Vetëm gjatë vitit të kaluar, në tregun zviceran kanë hyrë 300 milionë cigare të paligjshme, që përkthehet në rreth 15 milionë pako – ose mjaftueshëm për t’u konsumuar nga 1,000 persona çdo ditë për 41 vjet.

Mediat zvicerane, përfshirë Blick.ch, raportojnë se 80 milionë cigare ilegale kanë ardhur nga Kosova, 20 milionë nga Serbia dhe 10 milionë nga Portugalia. Ndërkohë, më shumë se gjysma e mallrave të kontrabanduara nuk mund të identifikoheshin saktë nga cilat vende vijnë.

Ndërkohë që shitjet legale të cigareve në Zvicër kanë rënë nga 9 miliardë në 7.5 miliardë, tregu i paligjshëm është rritur me 50% në katër vitet e fundit. Kjo ka sjellë një dëm financiar prej 76 milionë frangash për autoritetet tatimore zvicerane.

Studimi i publikuar nga firma konsulente KPMG, që përfshin 38 tregje evropiane, tregon se 3.5% e konsumit të cigareve në Zvicër është i paligjshëm, një përqindje e ulët por me trend në rritje.

Në nivel evropian, shifrat janë edhe më tronditëse – 52.2 miliardë cigare ilegale janë konsumuar në 2024, ose 10% e tregut total. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë ndër vendet më të prekura, me përqindje të kontrabandës që arrijnë 26% në Britani.

Sipas KPMG, 19.4 miliardë euro të ardhura tatimore janë humbur në gjithë Evropën si pasojë e këtij fenomeni.

Related Articles