Deputetja e NISMA-s: Kurti i ka thënë Limajt se “ti do të jesh kryetar kuvendi”

Deputetja e NISMA-s: Kurti i ka thënë Limajt se “ti do të jesh kryetar kuvendi”

Deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi, ka thënë se ka pasur marrëveshje verbale mes kreut të VV-së, Albin Kurtit dhe atij të Nismës, Fatmir Limajt, që ky i fundit të jetë kryeparlamentar.

Krasniqi tha se Kurti i ka thënë vet Limajt se “ju do të jeni kryetar i Kuvendit të Kosovës”.

“Verbalisht, Limajt i është thënë nga Kurti se ‘ju do të jeni kryetar i Kuvendit të Kosovës një ditë më herët’. Pastaj, Limaj e ka ftuar kryesinë e partisë dhe ne jemi mbledhur në mëngjes dhe e kemi diskutuar këtë çështje”.

“Nuk ka qenë i lehtë vendimi që të kemi një bashkëpunim me partneritet me VV-në sepse në Kosovë i krijuan polarizimet dhe ishte një egërsi por megjithatë, Limaj ka dalë përtej saj”, tha Krasniqi në “DPT te Fidani”.

Tutje, ajo u shpreh se në rast se propozohet për kryetar të kuvendit, Limaj do t’i merrte më tepër se 61 votat e nevojshme.

“Mendoj që Limaj bëhet kryeparlamentar me më shumë se 61 vota të deputetëve. Në marrëveshjen politike me VV-në, Fatmir Limaj do ta ketë maksimumin e votave për t’u bërë kryeparlamentar”.

“Në rast se Limaj bëhet kryeparlamentar, jam e bindur që autoriteti i tij do të krijonte mundësi më reale që të sigurohet edhe vota për Albin Kurtin kryeministër”, tha ajo.

Krasniqi, ka thënë se me gjasë partia e saj ka pasur oferta në Lëvizja Vetëvendosje për të hyrë në qeveri.

Por sipas Krasniqit, është kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ai që s’ka lejuar që të hyhet në këto diskutime.

“Me gjasë ka pasur edhe oferta për qeveri, por Limaj s’e ka lejuar që të hyhet në diskutim edhe më tutje, sepse në fillim e kemi pasur të qartë në pozicionin tonë”, tha Krasniqi .

Tutje, ajo u shpreh se gjatë masës së vendosur nga Gjykata Kushtetuese që deri më 8 gusht deputetët s’mund të bëjnë asnjë hap drejt konstituimit të kuvendit, kjo pauzë do të duhej të shfrytëzohej për takime.

“Do të duhej që kjo pauzë të shfrytëzohej për takime. Nuk kam informacione nëse prej masës së vendosur nga Kushtetuesja që ka pasur ndonjë takim rishtas”.

“Ne e kemi dhënë maksimumin duke e kërkuar minimumin. Nisma e ka dhënë maksimumin duke e kërkuar minimumin. Minimumi i asaj që e kemi kërkuar që Fatmir Limaj të jetë kryetar i kuvendit”, tha ajo.

Related Articles