Sindikata e Policisë reagon për sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë në Viti

Sindikata e Policisë reagon për sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë në Viti

Në mbrëmjen e së enjtes në fshatin Drobesh të Vitisë, ku një patrullë policore është përballur me rezistencë fizike dhe sulm të drejtpërdrejtë gjatë një ndërhyrjeje operative.

Rreth orës 20:00, më 1 gusht 2025, zyrtarët policorë janë përballur me dhunë nga tre persona të dyshuar: Xhemajl Idrizi, rreth 54-vjeçar, Enit Idrizi, rreth 18-vjeçar dhe Amir Idrizi, rreth 23-vjeçar.

Sipas informacioneve, gjatë tentimit për të arrestuar personat e përfshirë, njëri nga zyrtarët policorë është sulmuar me grusht në kokë nga i dyshuari Amir Idrizi, i cili aktualisht është në arrati. Ndërkohë, zyrtari tjetër policor ka pësuar lëndime gjatë përpjekjes për të stabilizuar situatën.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës duke e cilësuar këtë akt si të papranueshëm.

Në reagim, Sindikata u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të jenë të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.

“Dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë është e papranueshme dhe kërkon ndëshkim të menjëhershëm,” thuhet në njoftim.

Po ashtu, Sindikata apelon te qytetarët që të respektojnë urdhrat ligjorë të policisë dhe të mos ushtrojnë rezistencë, pasi një sjellje e tillë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike.

“Policia e Kosovës është mburoja e qytetarëve tanë dhe garantuese e rendit kushtetues – prandaj meriton respekt dhe mbështetje të vazhdueshme,” thekson reagimi.

Në fund, Sindikata siguroi se do të qëndrojë gjithmonë në përkrahje të secilit zyrtar policor në përmbushje të misionit ligjor dhe profesional.

Related Articles