Ramadani flet para ndeshjes me FCSB-në: Jemi të gatshëm të japim maksimumin

Ramadani flet para ndeshjes me FCSB-në: Jemi të gatshëm të japim maksimumin

FCSB dhe Drita do të përballen nesër në Bukuresht, në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Ligës së Evropës. Takimi zhvillohet në “Arenën Kombëtare” me fillim nga ora 20:30.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, foli për rëndësinë e sfidës dhe vlerësoi lart kundërshtarin rumun.

“Nesër na pret një përballje mjaft e fortë kundër një skuadre shumë cilësore dhe me shumë traditë, pavarësisht një krize të vogël që çdo klub mund ta ketë. Ne jemi të gatshëm të japim maksimumin përballë një kundërshtari siç është FCSB.”

Në pyetjen nëse ishte i befasuar nga eliminimi i FCSB-së nga Shkëndija, trajneri Ramadani tha se jo, pasi e njeh kualitetin e Shkëndijës.

“Nuk jam aspak i befasuar, sepse vij pikërisht nga Maqedonia dhe e njoh shumë mirë kualitetin e Shkëndijës. E pamë gjithashtu që pati edhe fatin me vete, dhe e dimë që në sport edhe fati sportiv luan rol të rëndësishëm”.

Tutje trajneri kampion i Kosovës tha se e di mirë se me çfarë kundërshtari do të përballen dhe janë përgatitur mjaftë mirë për këtë sfidë.

“Jemi përgatitur për një ndeshje të vështirë kundër një kundërshtari të fortë, dhe nuk e kemi nënvlerësuar aspak krizën që përmendet se është e pranishme te FCSB.”

Në pyetjen se si i komenton deklaratat e trajnerit dhe presidentit të FCSB-së, Ramadani u përgjigj: “Deklarata e trajnerit të FCSB-së ishte shumë e matur dhe profesionale. Sa i përket deklaratës së presidentit, mendoj se çdo president ka luksin që ndoshta të jetojë edhe pa futboll.”

Skuadra nga Gjilani synon të dalë me rezultat pozitiv nga Bukureshti, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim para ndeshjes së kthimit në Kosovë.

Related Articles