LVV: Gjykata Kushtetuese po shpik rregulla dhe po ndikon politikisht në krizën kushtetuese

LVV: Gjykata Kushtetuese po shpik rregulla dhe po ndikon politikisht në krizën kushtetuese

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe si ndërhyrje direkte në kompetencat e Kuvendit të Kosovës.

Sipas partisë fituese të zgjedhjeve të fundit parlamentare, vendimi është i motivuar politikisht dhe përbën sfidë për vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje.

Në një reagim të gjatë publik, LVV thotë se: “Njoftimi i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues”, duke shtuar se veprimi i Gjykatës është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.

Sipas Vetëvendosjes, Gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese dhe ka krijuar norma të reja juridike pa bazë në Kushtetutë, çka përbën ndërhyrje të papranueshme në punën e Kuvendit.

“Njoftimi nuk ka sqaruar asgjë tjetër veçse që Gjykata ka tejkaluar kompetencat kushtetuese” dhe ka shpikur “norma të reja juridike”, thekson partia, duke akuzuar këtë institucion për “ndërhyrje substanciale në kompetencat e Kuvendit” dhe për cenim të rendit kushtetues.

Vetëvendosje kujton se ndryshimi i Kushtetutës bëhet vetëm nga Kuvendi ose përmes referendumit, dhe se gjyqtarët kushtetues nuk kanë të drejtë të veprojnë në këtë drejtim.

“Kur një organ që duhet të jetë gardian i Kushtetutës fillon të prodhojë norma të reja ose të plotësojë norma që nuk janë paraparë, atëherë transformohet në një organ jashtëkushtetues”, thuhet në reagim.

LVV kërkon sqarim se në cilin dokument kushtetues, rregullore të Kuvendit apo praktikë ndërkombëtare është mbështetur vendimi që kufizon propozimin e të njëjtit kandidat për kryetar Kuvendi vetëm në tre herë.

“Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë?”, pyet Vetëvendosje, duke e cilësuar këtë si shpikje arbitrare të Gjykatës.

Reagimi përshkruan vendimin e Gjykatës si “rast të paprecedentë” dhe “ndërhyrje flagrante” në funksionimin kushtetues të Kuvendit, duke pretenduar se Gjykata ka uzurpuar funksionin e hartimit të rregullores së brendshme të Kuvendit.

Sipas partisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, “rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata nuk mund të jenë pjesë e asnjë aktgjykimi nëse nuk janë të përcaktuara në Kushtetutë ose në Rregulloren e Kuvendit”. Ata shtojnë se kjo po ndodh sa herë që LVV-ja përballet me rregulla që janë aplikuar ndryshe në të kaluarën.

Partia kritikon gjithashtu përmendjen e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, në vendimin e Gjykatës, duke e cilësuar si “fokus të panevojshëm” dhe “etiketim politik sipas fjalorit të partive opozitare”. Sipas LVV-së, “kryesuesi nuk është subjekt kushtetues, por vetëm subjekt i Rregullores së Kuvendit”.

Në përfundim, LVV e akuzon Gjykatën Kushtetuese për mbajtje anësie dhe për cenim të parimeve demokratike.

“Ka zgjedhur të mbajë anë, duke prekur parimet demokratike dhe sfiduar vullnetin popullor”, thuhet në reagimin e tyre, ku vendimi i fundit përshkruhet si “paralajmërim serioz për rrezikun e një pushteti juridik të pakontrolluar, që në vend të kontrollit të pushteteve të tjera, vetë bëhet burim i kapjes institucionale”.

Related Articles