Gjilani dhe e tërë Kosova u tronditën dje nga vrasja e trefishtë në mesditë, në një lokal në qendër të këtij qyteti, me tre persona kryesorë që janë të dyshuar e që janë ende në arrati.
Dy nga viktimat janë babë e bir. I treti është një dhëndër i tyre.
Dorasi kryesor dyshohet të jetë Mefail Shkodra. Edhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, janë shpallur në kërkim si të dyshuar për veprën “Vrasje e rëndë”.
Si nisi rasti?
Sipas raportimeve, Bujar Hoxha, dhëndri i Selami Hasanit e kishte denoncuar në polici Mefail Shkodrën para dy javësh. Ai ishte intervistuar nga prokurorja Habibe Salihu për rastin që ndërlidhet me “fajde” dhe më pas ishte lënë i lirë.
Rreth një jave më parë, Selami Hasani kishte caktuar një takim për sot (e diel) me Mefail Shkodrën dhe dhëndrin e tij, Bujar Hoxhën, me qëllim që të sqaronin situatën e krijuar.
Por, takimi duket se nuk ka shkuar sipas planit dhe ka përfunduar në mënyrë tragjike.
Bujar Hoxha aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në QKUK, ndërsa babai i tij, Abedin Hoxha, ka ndërruar jetë nga plagët e marra.
I vrarë ka mbetur edhe Edmond Hasani, djali i Selami Hasanit, i cili po ashtu humbi jetën në lokalin ku ndodhi krimi në Gjilan.
Deri më tani, vetëm një person është arrestuar në vendngjarje.
Një person i arrestuar
Nga policia thanë se një person i katërt i dyshuar është arrestuar në vendngjarje, ndërkohë që tre të tjerë janë në arrati.
Policia ka lajmëruar edhe institucionet ndërkombëtare lidhur me emrat në kërkim.
Mefail Shkodra ishte i përfshirë në 19 vepra penale, tri prej tyre për fajde
Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Gjilanin, Agron Rukiqi, në një konferencë për media ka treguar rreth të kaluarës penale të të dyshuarit kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodrës.
Siç tregoi Rukiqi, Shkodra është përfshirë në vepra penale në plotë 19 raste.
Tre prej këtyre rasteve janë fajde, pesë sulm, ndërsa një në “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal”.
Më poshtë mund t’i lexoni të gjitha veprat, të përmenduara nga Rukiqi:
Rast i sulmit – 5 raste
Prishja e rendit dhe qetësisë publike – 2 raste
Fajde – 3 raste
Mashtrim – 1 rast
Kërcënim – 3 raste
Shantazh – 1 rast
Detyrim – 2 raste
Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal – 1 rast
Kundërvajtje në komunikacion – 1 rast
Mefail Shkodra ishte liruar nga paraburgimi në tetorin e kaluar
Mefail Shkodra, i dyshuari për vrasjen e trefishtë në Gjilan që ndodhi sot, më 10.08.2025, në tetor të vitit 2024 ishte liruar nga paraburgimi pasi ishte arrestuar për veprën penale – fajde.
Në vitin 2024 Shkodra ishte arrestuar dhe dëguar në paraburgim për veprat penale – fajde, dhe – detyrim.
Ai ishte pranuar në Shërbim Korrektues për masën e paraburgimit në qershor ndërsa ishte liruar në tetor 2024.
Shkodra paraburgimin e mbajti në Qendrën Korrektuese në Prishtinë.
Gjendja e të plagosurit
Një person i plagosur nga ngjarja tragjike që ndodhi sot në Gjilan, po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale.
Sipas Drejtori të Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, gjendja e vitkimës është e rëndë, por stabile.
“Janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme”, tha Syla. /Gazeta Enigma