Ambasada gjermane: Mosrespektimi i Kushtetueses kërcënon integrimin evropian

Ambasada gjermane: Mosrespektimi i Kushtetueses kërcënon integrimin evropian

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha se pret që të gjitha fuqitë politike në Kosovë të “respektojnë plotësisht dhe zbatojnë” vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Berlini paralajmëroi se do të ketë pasoja nëse ky vendim nuk zbatohet.

“Tani politikanët duhet të veprojnë në mënyrë urgjente që t’i japin fund kësaj krize gati gjashtëmuajshe. Ne presim një zgjidhje të shpejtë, brenda afatit [të Kushtetueses] dhe u bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve politikë që të veprojnë drejt një kompromisi. Dështimi për ta respektuar vendimin paraqet kërcënim për mirëqenien e qytetarëve dhe rrugën e integrimit në BE”, u tha në përgjigjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë dërguar Radios Evropa e Lirë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 8 gusht publikoi njoftimin mbi aktgjykimin e saj lidhur me ngërçin politik, duke thënë se deputetët duhet të konstituojnë Kuvendin brenda 30-ditësh dhe se kryekuvendari i ri duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur.

Afati kohor prej 30-ditësh nis kur të publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses në Gazetën Zyrtare, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Thirrja e Ambasadës gjermane vjen në kohën kur në Kosovë drejtori gjerman për Ballkanin Perëndimor, Michael Reiffenstuel, zhvilloi takime me udhëheqësit partiakë dhe shtetërorë.

Ai, sipas Ambasadës, në këto takime, përcolli mesazhin se duhet respektuar vendimi i Kushtetueses.

Reiffenstuel gjatë qëndrimit në Kosovë më 10 dhe 11 gusht zhvilloi takime të ndara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, njëherësh udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Emisari gjerman është takuar edhe me përfaqësuesit e partive të serbëve të Kosovës dhe të shoqërisë civile.

Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë u kanë bërë thirrje partive politike që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Related Articles