Oda Ekonomike e Kosovës: Ndërprerja e energjisë për bizneset, goditje e rëndë për ekonominë dhe imazhin e vendit

Oda Ekonomike e Kosovës: Ndërprerja e energjisë për bizneset, goditje e rëndë për ekonominë dhe imazhin e vendit

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar me shqetësim të madh ndaj situatës së krijuar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ndërprerjen e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të jashtëligjshëm dhe të dëmshëm për bizneset, ekonominë dhe qytetarët e vendit.

Në reagimin e saj, OEK ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa të shumta nga bizneset, të cilat raportojnë se zyrtarë të KEDS-it, të shoqëruar nga policia, kanë ndërprerë energjinë elektrike në objektet e tyre.

Kjo prani e forcave policore, sipas Odës, ka krijuar një imazh tepër negativ tek investitorët e huaj dhe ka ulur besimin për sjelljen e investimeve të reja në Kosovë.

“Ky veprim jo vetëm që ka dëmtuar bizneset dhe shpresat për investime të huaja, por ka penguar edhe zgjerimin e investimeve vendore. Për më tepër, kemi raste kur edhe bizneset me kontrata të vlefshme janë përballur me ndërprerje të energjisë, si dhe raste kur bizneseve që nuk plotësojnë kriterin ligjor për daljen në tregun e lirë u është ndërprerë furnizimi”, thuhet në reagim.

OEK ka vlerësuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nuk është menaxhuar siç duhet nga ZRrE, duke e cilësuar atë si të papërgatitur dhe arbitrar.

Në fund, Oda u ka bërë thirrje autoriteteve që të ndalin menjëherë këto veprime “arbitrare e të dhunshme” dhe të rikthehen në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të ndërtuar një tranzicion të planifikuar dhe të drejtë.

“Bizneset përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës dhe punësojnë mbi 143 mijë qytetarë. Një vendim si ky i sotmi, u ka shërbyer vetëm armiqve të Kosovës”, përfundon reagimi i OEK-ut.

Related Articles