Gjykata Kushtetuese ka sqaruar në aktgjykim se pse ka vendosur që një kandidat për kryeparlamentar të votohet pikërisht deri në tri herë.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi: “Votimi i hapur për Kryetarin e Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë.”
Ky interpretim bazohet në parimin e funksionalitetit institucional. Gjykata përdori analogji me nenin 86 të Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, i cili lejon vetëm tre raunde votimi para se të shpallen zgjedhje të reja, dhe me ligjin që rregullon Avokatin e Popullit, i cili gjithashtu kufizon ripropozimet.
Aktgjykimi thekson: “Kufizimi i numrit të propozimeve është thelbësor për të shmangur bllokimin e institucioneve dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë.”
Mesazhi që doli:
Kuvendi duhet të respektojë rendin kushtetues, deputetët duhet të kryejnë detyrat e tyre me transparencë përmes votimit të hapur, ndërsa forcat politike duhet të gjejnë konsensus brenda kufijve të Kushtetutës dhe jo përmes obstruksionit proceduror.
Siç thekson vetë Gjykata: “Deputetët e zgjedhur të Kuvendit… janë të obliguar të përfundojnë seancën konstituive duke zgjedhur Kryetarin dhe Nënkryetarët e tij brenda 30 ditëve.”