LVV reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

LVV reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Pas një pritjeje prej 10 ditësh Gjykata Kushtetuese sot ka publikuar aktgjykimin që ka nxitur një debat të ri rreth rolit të saj në sistemin kushtetues dhe kufijve të ndërhyrjes në proceset politike, raporton Gazeta “Enigma”.

Në vendimin e saj, Gjykata konstaton se votimi i fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, duke rrëzuar kështu zërat opozitarë që kërkonin ndërhyrje për të ndaluar këtë praktikë.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka thënë se “pas 10 ditësh Gjykata pranoi që përmes Aktgjykimit të publikuar sot ka shkruar rregull të ri”.

Sipas tyre “tejkalimi i juridiksionit nuk justifikohet me asgjë. Ditët vonesë për publikimin e vendimit njoftojnë pamundësinë për ta justifikuar vendimin arbitrar që cënon demokracinë. Kufijtë e ngushtë të arsyetimit sot janë rrjedhojë e gjerësisë së tejkalimeve që ia ka lejuar vetes Gjykata”.

“Zhurma opozitare u rrëzua përsëri”

“Se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, u konfirmua sërish. Zhurma opozitare u rrëzua përsëri. Por paragjykimi i Gjykatës për mungesën e konsensuesit politik sa kohë që nuk është hedhur asnjëherë në votim është ecje në rrugën e subjekteve bllokuese. Kjo rrugë na kthen pas aty ku nuk pati rezultat”, thuhet në reagimin e tyre.

“Analogjia që përdor Gjykata nuk ka ku të qendrojë. Kushtetuta ndryshe nga zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, për zgjedhjen e Presidentit i përcakton qartë raundet e votimit edhe pasojat juridike të moszgjedhjes brenda një afati. Në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë. Në bazë të “tezës” së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Këtë po e kërkojnë dhe thonë eksponentët opozitarë, madje edhe në komentet dërguar kushtetueses”.

“Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane dhe botërore, as nuk kërkoi mendime të gjykatave kushtetuese homologe për krahasueshmëri rastesh. Një rast pra si asnjë rast tjetër”, thuhet në reagimin e LVV. /Gazeta Enigma/

Related Articles