Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit një muaj ndaj S.S, i dyshuar për krime lufte në Vushtrri, raporton Gazeta “Enigma”.
Lajmin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Po ashtu lajmi është bërë i ditur edhe Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një postimi në Facebook.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Është caktuar masa e paraburgimit ndaj të pandehurit S.S., i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile
Prishtinë, 19 Gusht 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit S.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.S., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 06.04.1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i pandehuri S.S. me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, me uniforma të policisë dhe ushtrisë së Serbisë në fshatin Reznik të Vushtrrisë gjatë një aksioni mirë të organizuar kishin plaqkitur e djegur shtëpi dhe kishin vrarë civil të paarmatosur dhe atë I.U., M.U. me bashkëshortet, po ashtu B.U., F.U., S.U. dhe F.U., gjatë ditës kritike ishin vrarë edhe T.U. me bashkëshorten H.U., ndërsa pas plaqkitjes së parave, e kishin marr me dhunë viktimën B. e kishin dërguar në katin e dytë të shtëpisë, ku fillimisht e kishin rrahur, maltretuar dhe dhunuar seksualisht njëri pas tjetrit, me ç’rast i kishin shkaktuar të njëjtës lëndime të rënda trupore.
Gjykata vlerësoj se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.S. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Gazeta Enigma/