RTK qe tri javë pa paga – Kredia e Qeverisë ende “pending”

RTK qe tri javë pa paga – Kredia e Qeverisë ende “pending”

Tash e plotë 21 ditë, mbi 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës janë pa paga. Ndonëse ekzekutivi në detyrë ndau një kredi mbi 2.5 milion euro për transmetuesin publik, e njëjta ende nuk është implementuar

Transmetuesi i vetëm publik i Kosovës po përballet me krizë financiare, për shkak të mosalokimit të pjesës së dytë të buxhetit të tij vjetor.

Përgjegjësinë për këtë alokim e ka Kuvendi i Kosovës, por moskonstituimi tash e disa mujor e që ende nuk po shihet në horizont, po del të jetë problem për buxhetin vjetor të RTK-së.

Pas presionit të madh publik dy-javor, Qeveria në detyrë e Kosovës njoftoi se ka miratuar në parim kërkesën e RTK-së për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro.

Ky njoftim u bë më 15 gusht, megjithatë, gjashtë ditë më pas, disa punëtorë të këtij televizioni konfirmuan për Gazetën Enigma se pagat nuk janë ekzekutuar ende.

Gazeta Enigma dërgoi pyetje drejt Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave lidhur me këtë çështje, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

“Ka ardhë kohë me i ble librat për fëmijët, por ende pa pagë”

Një punëtor i RTK-së foli në kushte unanimiteti për gjendjen e tij financiare shkaku i mosekzekutimit të pagave, duke thënë se përveç vështirësive të tjera familjare, tani ka ardhur koha që të blejë librat shkollorë për fëmijët e tij, por që po e ka të vështirë shkaku i mungesës së pagës.

“Të gjithë punëtorët jemi në pritje të pagave, secili ka halle tëveta, siç edhe janë shprehur nëpër postime. Edhe unë me familjen time varemi nga kjo pagë. Por ende nuk ka asgjë. Për shembull, gjatë këtij muaji kemi planifikuar që të shkojmë në pushime në ndonjë vend bregdetar, por lëre që pushimet nuk po mund t’i bëjmë, por edhe ka ardhur koha që t’i blejë librat shkollorë për fëmijët e që nuk i kam mundësitë për ta bërë këtë”, tregoi ky punëtor në një prononcim për “Enigmën”.

“Shpenzimet për librat mund të më shkojnë deri në 300-400 euro. Mbase duhet të marrë hua diku për t’i blerë librat për fëmijët”, u shpreh tutje ai.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve: RTK-në nuk do ta lejojmë të shkatërrohet

Moderatori dhe njëherit kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në RTK, Gëzim Bimbashi, tha se kjo situatë nuk duhet të vazhdojë, gjatë protestët nga dhjetëra punëtorë të RTK-së që kërkonin ekzekutimin e pagave para Qeverisë.

“Kjo protestë është vetëm për mbrojtjen e RTK-së si medium publik. Për dinjitetin dhe të drejtat e punëtorovë tanë. Pa asnjë ngjyrim politik, as dje, as sot, as nesër. RTK është e mbushur me profesionistë të cilët edhe pa paga po sakrifikohen çdo ditë, për të mbajtur gjallë informimin e publikut. Shumë nga kolegët tanë janë të shpërndarë në procesin e punës, në të gjithë Kosovën, për të informuar qytetarët, pavarësisht se ata nuk i kanë marrë pagat e tyre të merituara me ligj”, deklaroi Bimbashi.

“Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë. Punëtorët nuk duhet të mbesin pa paga. Kjo është çështje dinjiteti, përgjegjësie dhe respektimi të të drejtave njerëzore elementare. Dinjiteti dhe djersa e punëtorëve tanë janë të panegociueshm. RTK-në nuk do ta lejojmë të shkatërrohet”, u shpreh më tutje Bimbashi.

Ankesat e punëtorëve të tjerë

“Kryeministri paguhet për mospunë – gazetarët nuk paguhen me punë”.

Punëtorja në RTK, Nep Qorraj, pyeti se si është e mundur që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paguhet për mospunë, ndërsa në rastin e saj, me mbi 300 lajme në muaj, nuk paguhet.

“Kryeministër,

Për 6 muaj trajtim me kimioterapi, punën nuk e kam ndërprerë për asnjë moment, pos në ditën e kimios! Po gjatë kësaj periudhem Ju nuk keni arrtiur të bëni asnjë nga punët me të cilat obligoheni, pasi keni fituar votën e qytetarëve!

Nëse raporti mujor i punës më del me +300 lajme të prodhuara në gjendjen që jam ndërsa i juaji ka ngelur në vend numero, atëherë si ka mundësi që ju vazhdoni të paguheni për mos-punë, ndërsa unë e kolegët e mi NUK paguhemi, edhe pse punojmë?!”, shkroi ajo.

“Po shtyj me 20 euro”

Gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës, Drita B. Loshi tregoi sot se pagat s’duken askund, ndërsa po e shtyn me “20 euro”.

“Ende po e shtyj me ato 20 eurot që qeveria mi ka qitë në llogari për djalin. Tash po i pres edhe 80 euro për librat. E rrogat e RTK-së? Askund”, shkroi ajo.

“Turp ju qoftë!”

Redaktorja e RTK-së, Pranvera Munishi, e quajti veç “premtim të ekzekutuar në fjalë” dhe se paratë e tyre “ende bredhin në ajr”.

Ajo tha se gjendja është “mizeri me kravatë”.

“Qeveria shpalli ‘bujarinë’ e saj në letër, një hua për RTK-në. Punëtorët shpresuan…… Premtimi u ekzekutua vetëm në fjalë, paratë ende bredhin në ajër. U bën fantazma të korrikut të harruar. Punëtorët numërojnë ditët, ndërsa rrogat e tyre janë bërë poezi të shëmtuara burokracie. Ironi e zezë….. Pagat ekzistojnë në vendim por jo në xhepa. Ky nuk është menaxhim, kjo është mizori me kravatë. Veç një i çmendur mund ta quajë këtë situatë normale. Turp ju qoftë!”, shkroi ajo.

“Në dy raste – bllokuesi i njëjtë”

Blerta Foniqi Kabashi, redaktore në RTK, e barazoi “bllokimin” në paga me “bllokimin” e Kuvendit.

“52 ditë pa paga – gati sa përpjekjet e Kuvendit për t’u konstituuar. Në të dy rastet, bllokuesi është i njëjtë; nuk po e shpik unë, po e tregojnë praktikat e deritashme dhe Kushtetuesja. Gëzuar për ditë më të mira”, shkroi ajo.

Ekzekutim të pagave për punëtorët e RTK-së kanë kërkuar edhe nga Asociacioni i Kosovës dhe shoqëria civile.

Gazeta Enigma ka provuar të kontaktojë lidhur me këtë çështje edhe me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në RTK, Hysen Hundozin, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

Teksa ishte e paçassëm për media, ai u bë “i gjallë” në “Facebook”.

Ai para pak çastesh njoftoi, se pagat e punëtorëve do të ekzekutohen, nesër (e premte).

“Sapo e nēnshkruam Marrēveshjen pēr huadhēnie me Ministrinē e Financave, Punēs dhe Transfereve. Pagat ekzekutohen nesēr, mē 22 Gusht  2025”, njoftoi ai.

Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove.

RTK-së, paratë i jepen nga Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa. /GAZETA ENIGMA

Related Articles