Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh të Policisë njofton se ka iniciuar rast “Hetim mbi vdekjen” për katër raste të vdekjes që kanë ndodhur të hënën në Podujevë, Prizren, Klinë, e Gjilan.
Sipas policisë, në Podujevë, një person është gjetur pa shenja jete. “Njësitë policore dhe ekipi i emergjencës kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me vendim të prokurorit”, thekson policia.
Në Prizren, një tjetër person është gjetur i vdekur në kushte të ngjashme. Policia dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa trupi i tij është dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit.
Ndërkaq në Klinë, një grua ka raportuar se një burrë dyshohet të jetë pa shenja jete.
“Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen në vendngjarje dhe trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, sipas urdhrit të prokurorit”, thekson policia.
Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjeve në secilin rast.
Edhe në Gjilan po hetohen shkaqet e vdekjes së një gruaje.
“VDEKJE “E DYSHIMTË Gjilan / 25.08.2025-09:50. Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur pa shenja jete viktimën femër kosovare. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, theksojnë nga policia.