AGK-ja dënon sulmet e kryeparlamentarit Basha ndaj gazetarëve

AGK-ja dënon sulmet e kryeparlamentarit Basha ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se dënon fuqishëm dhe shpreh keqardhje që kryeparlamentari Dimal Basha e ka nisur punën në postin e tij të ri e shumë të rëndësishëm “duke sulmuar mediat”.

Në një konferencë për shtyp, Basha ka deklaruar: “Prej 6 vitesh, portalet dhe të ashtuquajtur gazetarë nuk kanë ndaluar së më ofenduari në mënyrat më të ulëta, duke përdorur edhe burime nga gazeta të Beogradit. Mos harroni se keni të njëjtat burime që kanë lobuar për ndarjen e Kosovës dhe për Listën Serbe.”

AGK-ja tha se e dënon fuqishëm këtë “gjuhë të papranueshme dhe shumë të rrezikshme” të zotit Basha, e cila është “vazhdimësi e sulmeve, ofendimeve dhe akuzave të tij ndër vite ndaj mediave”.

AGK-ja tha se e fton zotin Basha të kuptojë përgjegjësinë që e bart posti i tij i ri, si një prej udhëheqësve kryesorë të shtetit, dhe të respektojë punën e gazetarëve dhe mediave.

“Në vend të sulmeve, zoti Basha duhet të tregojë transparencë për të kaluarën e tij dhe t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve e interesimit të mediave për aktivitetin, para se të bëhej kryetar”, thuhet në reagim.

Related Articles