Osmani mezi pret ta caktojë Kurtin mandatar, por nga VV thonë se nuk i kanë numrat për Qeveri

Osmani mezi pret ta caktojë Kurtin mandatar, por nga VV thonë se nuk i kanë numrat për Qeveri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese, komentet e saj lidhur me ankesën e dërguar nga Lista Serbe, për konstituimin e Kuvendin pa nënkryetar serb.

Osmani duket se është pozicionuar në një vijë me partinë më të madhe, LVV-në, pasi tha se do të ishte pozitive nëse Kushtetuesja miraton konstituimin e Kuvendit, pa nënkryetar serb.

Madje tha se posa që një gjë e tillë të bëhej, menjëherë të do jepte bekimin për emërimin e Qeverisë së re, me emrin e mandatarit që është Albin Kurti.

“Menjëherë pas 30 shtatorit… me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituimit, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive, kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, tha Osmani.

Cilat ishin komentet e Osmanit?

Menjëherë pas konferencës, Presidenca publikoi të plotë dokumentin me komentet e të parës së vendit.

Për inkurajim që Kuvendi të vazhdojë me punën, Osmani përdori dy pika nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Neni 57 paragrafi 4 i Kushtetutës, përcakton se ushtrimi i këtyre të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre bartë me vete detyrimet dhe përgjegjësitë për të vepruar në pajtim me ligjin e Republikës së Kosovës, dhe nuk i cenon të drejtat e të tjerëve.

Ushtrimi i të drejtave të komuniteteve të mos rezultojë me cenim të të drejtave të tjerëve, është me rëndësi që në rastin konkret të shihet dëmi i pariparueshëm që bëhet procesit të konstituimit të institucioneve në tërësi duke i bllokuar ato për një pozitë nënkryetari, por po ashtu mohimi i ushtrimit të funksionit që po u bëhet të gjithë deputetëve të tjerë, të cilët nuk po kanë mundësi të ushtrojnë funksionin e tyre si përfaqësuese të sovranit.

Kusari – Lila: Numrat për Qeveri nuk janë krijuar ende

Ani se Osmani nuk do humb kohë për emrin e mandatarit, Lëvizja Vetëvendosje duket se nuk i ka numrat as për Qeveri.

Kështu të paktën tha deputetja e betuar Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për Gazetën Enigma.

Ajo i përmendi zgjedhjet e reja, si zgjidhje të vetme.

“Kjo është çështje që është subjekt për diskutim dhe vendimmarrje të partisë më të madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje. Është e qartë dhe evidente se numrat 61 për qeverinë nuk janë krijuar ende. Sa i përket bashkëpunimeve, ajo krejt do të varet nga pozicionet e subjekteve opozitare, por më e mira për qytetarët dhe për kredibilitetin e procesit është shkuarja në zgjedhje të reja”, ka thënë Kusari-Lila.

Albin Kurti mandatar – sulmoi sërish Gjykatën Kushtetuese

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 7 shtator, Albin Kurti u propozua si mandatar që të qeverisur sërish në krye të kabinetit.

Aty, Kurti nuk e humbi mundësinë për të sulmuar e kritikuar organin më të lartë të vendit, Gjykatën Kushtetuese.

Kurti tha se Kushtetuesja po funksionon si “hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes”, pasi Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe.

Ai ka thënë se kjo “është ngjashëm sikur Arben Vitia të lëshojë vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së tyre të rënduar”.

“Nga katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë vonuan për ta trajtuar ankesën e AAK-së e po aq ankesat e LDK-së e PDK-së. Opozita orë e çast i drejtohej Kushtetueses. A e dini pse, sepse pesë nga shtatë gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur në 2018 kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese “ka penguar punët e mira të Qeverisë”.

Kurti ka thënë se në tetë raste, me vendimet e Kushtetueses janë penguar nismat reformuese të Qeverisë duke u shpallur si antikushtetuese.

Dita më pikëlluese e Kurtit si kryeministër

“Gjykata Kushtetuese na e ka rrëzuar ligjin për vendosjen e çmimit tavan. Kjo ka qenë dita më e pikëlluese e imja si kryeministër”, ka thënë Kurti.

“Nëse ata që kanë për detyrë të informojnë nuk kanë filtra ndaj këtyre lajmeve dhe nuk i bëjnë me qëllim, duhet ne si aktivistë dhe qytetarë të kemi filtrat tonë ndaj këtyre lajmeve dezinformuese”, ka thënë tutje ai.

Reagoi më pas Gjykata Kushtetuese

Gjykata doli me reagim për të shprehur shqetësimin e saj për “deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë”.

Ky institucion tha se pavarësia nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës, prandaj asnjë subjekt politik nuk mund të ndërhyjë në punën e tyre.

“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë.”

Në reagim, kjo gjykatë tha se deklaratat që paragjykojnë vendimet që nxjerrin, janë të dëmshme për zhvillimin demokratik të Kosovës.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”, thuhet tutje në reagim.

Si rrjedhojë, Kushtetuesja ka apeluar tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.

“Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese edhe Ambasada e Gjermanisë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, dhe të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me Gjykatën Kushtetuese.

Në një deklaratë për media, kjo ambasadë theksoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit.

Ajo i ftoi të gjithë që të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe ato personale.

“Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gurthemel i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane. /GAZETA ENIGMA

Related Articles