Mangani ende i pranishëm në ujin për pije në Liqenin e Badocit – Ankohen qytetarët

Mangani ende i pranishëm në ujin për pije në Liqenin e Badocit – Ankohen qytetarët

Prania e manganit në ujin e pijshëm nga liqeni i Badocit ka disa ditë që është bërë një nga problemet kryesore për banorët që furnizohen me ujë për pije nga kjo pikë, shkruan Gazeta “Enigma”.

A.Q. qytetare nga Prishtina në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se kjo ka gjendje e ujit ka shkaktuar shumë telashe pasi ajo ka probleme shëndetësore.

“Kjo gjendje ka ndikuar shumë keq në gjendjen tonë psikike pasi ne duhet patjetër të blejmë ujë, por më e rënda është që kemi problem edhe në bartjen e tyre, duke e ditur që kjo është edhe e kushtueshme dhe nëse zgjatë shumë kjo gjendje nuk e di se si do të ia dalim të furnizohemi me ujë për pije dhe për përgatitjen e ushqimit”, tha ajo.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se janë duke vazhduar monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për pije.

“Analizat laboratorike të realizuara në ditët e fundit rezultojnë me vlera të manganit të cilat tejkalojnë kufirin e lejuar të përqendrimit të manganit prej 0.05 mg/l sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 për” Cilësinë e Ujit për Konsum nga Njeriu”, dhe gjithashtu tejkalojnë standardin shëndetësor prej 0.3-0.4 mg/l mbi të cilin konsiderohet se mund të ketë ndikim në shëndet”, njoftuan nga IKSHPK.

Problemet me menaxhimin e ujit të pijshëm

Analisti Fatos Sadiku në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se “që pas luftës në Kosovë, shumë sfida infrastrukturore kanë mbetur të pazgjidhura ose të trajtuara me vonesë, dhe një nga më të prekshmet mbetet menaxhimi i ujit të pijshëm”.

Tutje ai ka theksuar se “rasti i fundit i ndotjes së ujit në Liqenin e Badovcit ka nxjerrë në pah problematika të shumta që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve”.

Sipas Sadikut kjo situatë ka ndikuar te qytetarët pasi ata janë të detyruar të blejnë ujë ose të mbushin nga burime të ndryshme për shkak të rrezikut që mund të paraqitet nga sasia e lartë e manganit në ujë.

“Qytetarët janë detyruar të sigurojnë ujin për pije nga burime alternative që nga momenti kur u bë publike ndotja. Kjo situatë ka rritur shpenzimet familjare, duke i detyruar qytetarët të blejnë ujë ose ta mbushin nga burime të tjera. Në të njëjtën kohë, shumë familje përdorin ujin e rubinetit vetëm për larje ose për qëllime të tjera teknike, duke shmangur përdorimin për pije dhe gatim për shkak të rrezikut të përmbajtjes së lartë të manganit”, tha Sadiku për “Enigmën”.

Pasojat në shëndetin dhe jetën e qytetarëve

“Ky problem ka pasoja të drejtpërdrejta edhe në shëndetin dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Frika dhe shqetësimi për efektet shëndetësore të ujit të kontaminuar është bërë pjesë e rutinës ditore, dhe qytetarët ndihen të pambrojtur nga institucionet përgjegjëse”, tha ai.

Sadiku ka theksuar se mënyra e informimit ka s’ka qenë shumë e qartë, shumë qytetarë nuk janë njoftuar me kohë për rreziqet e manganit në ujë.

“Një shqetësim tjetër është vonesa dhe mënyra jo e qartë e informimit të publikut. Shumë qytetarë nuk janë informuar në kohë për rreziqet e manganit, ose kanë marrë informacion kontradiktor, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e autoriteteve dhe të Ujësjellësit. Kjo tregon për një mungesë serioziteti dhe neglizhencë afatgjate në menaxhimin e sistemit të ujit të pijshëm”, deklaroi ai.

Borxhet ndaj kompanisë së ujësjellësit, sipas tij kanë kontribuar në degradimin e rrjetit të ujësjellësit, duke ulur kështu edhe cilësinë e shërbimeve nga ta.

“Situata ka treguar gjithashtu se mos-pagesat e një pjese të konsumatorëve dhe keq menaxhimi i fondeve kanë kontribuar në degradimin e rrjetit të ujësjellësit, duke ulur cilësinë e shërbimeve dhe duke rritur rrezikun për qytetarët”.

“Shqetësuese është edhe aspekti psikologjik dhe social: fakti që qytetarët janë detyruar të blejnë ujë ose ta marrin nga burime të tjera për shkak të përmbajtjes së lartë të manganit, rrit stresin dhe ndjenjën e pasigurisë. Kjo situatë është një sinjal i qartë për nevojën e investimeve serioze në monitorimin, kontrollin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujit, si dhe për nevojën e transparencës dhe informacionit të qartë për publikun”, ka theksuar Sadiku.

Ai thotë se për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen, duhet të ndryshojë qasja institucionale.

“Ujësjellësit duhet të kontrollohen rregullisht nga autoritete të pavarura, të ketë monitorim të vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe informacion i qartë dhe i saktë të jepet për qytetarët. Investimet në infrastrukturën e ujit duhet të jenë prioritare, dhe çdo planifikim duhet të bëhet me seriozitet dhe afat gjatësi, duke marrë parasysh të gjitha pasojat për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”, deklaroi Sadiku për “Enigmën”.

Ndërkohë IKSHPK apelon te qytetarët që ujin mos ta përdorin për pije.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës. Për zonat me emrat e rrugëve dhe oraret e furnizimit me ujë të pijshëm nga autobotet, ju lutem përcjellni komunikatat nga KRU ‘Prishtina’”, theksohet në njoftimin e tyre.  /Gazeta Enigma/

Related Articles