“Momente të vështira për Kosovën” – Në prag të zgjedhjeve Qeveria në detyrë “qortohet” ashpër nga ndërkombëtarët

“Momente të vështira për Kosovën” – Në prag të zgjedhjeve Qeveria në detyrë “qortohet” ashpër nga ndërkombëtarët

Të premten e 12 shtatorit, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “u godit me shuplakë” nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me pezullimin e planeve për hapjen e Dialogut Strategjik mes dy vendeve, shkruan Gazeta Enigma.

Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe Ambasada Gjermane, të hënën e 15 shtatorit, lëshoi një vërejtje serioze ndaj Qeverisë Kurti, duke i bërë thirrje që të mos “shënjestroj” institucionet shëndetësore serbe që veprojnë brenda territorit të Kosovës.

Pse ky vendim nga SHBA-ja?

Edhe pse Ambasada Amerikane nuk përmendi veprimet konkrete të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, aty u tha se vendimi u morr shkaku i “veprimeve dhe deklaratave të fundit të kryeministrit në detyrë Kurti”, të cilat “kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”.

Veprimet dhe deklarata, mendohet se kanë të bëjnë me mbylljen e zyrave të fondeve serbe për sigurime shëndetësore dhe pensionale, si dhe deklaratat e Kurtit ku sulmoi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe i lidhi ata me partitë ish-opozitare.

Ndërkohë, Michael Reiffenstuel, drejtor për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, i cilësoi në një komunikatë si shqetësuese veprimet e autoriteteve kosovare për pezullimin e punës së zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale.

Deklarata e Reiffenstuelit u shpërnda në rrjetet sociale nga Ambasada gjermane në Prishtinë dhe ambasadori i saj, JornRohde, me mbishkrimin:

“Mesazh i qartë nga Berlini: nevojitet bashkëpunim dhe bashkërendim, jo më hapa përshkallëzues”.

Një situatë e tillë pati ndodhë edhe pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, kur I dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Në një postim në rrjetin X, Grenell pati shkruar se edhe republikanët, edhe demokratët në SHBA e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin “për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin”.

“Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X.

“Aleatët i kemi kthyer në kundërshtarë”

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, në një prononcim për Gazetën Enigma, thotë se pezullimi i Dialogut Strategjik, është “goditja e fundit” që i bëhet Qeverisë në detyrë.

“Ne ka kohë që kemi ngritur këto shqetësime, pasi që Kosova veç se është e izoluar dhe sanksionuar. Ne kemi sanksione nga Bashkimi  Evropian dhe tani, pezullimi i dialogut strategjik është goditja e fundit që i bëhet Qeverisë Kurti. Këto vendime është e qartë se janë bërë për shkak të kësaj Qeverie. Aleatët tanë, të cilët na kanë ndihmuar në përfundimin e luftës, na kanëndihmuar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe nështetbërje, sot, me veprimet e kësaj Qeverie, mbase edhe i kemi kthyer në kundërshtarë. Ka kohë që kanë thënë se nuk do tëbashkëpunojnë me këta njerëz, të cilët edhe po e mbajnë peng Qeverinë”, tha Kadrijaj në deklaratën e saj për “Enigmën”.

“Janë momente të vështira për Kosovën. Kosova kurrë ma keq nuk ka qenë. Kjo falë kësaj Qeverie”, u shpreh tutej deputetja.

Kadrijaj thotë se ka kohë që janë lënduar raportet, por se pezullimi i dialogut strategjik është një “vërejtje e rëndë në historinë e pasluftës” .

“E kemi pasur një lloj komunikime edhe pse të sanksionuar, ndërsa tani e kemi edhe pezullimin e dialogut strategjik, e cila është një vërejtje e rëndë, në historinë e pasluftës”, tha më tej Time Kadrijaj.

“Alarm që duhet të merret seriozisht nga Qeveria në detyrë”

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se vendimi i SHBA-së është një alarm që do duhej ta merrej seriozisht nga Qeveria në detyrë dhe institucionet tjera.

“Për shkak se kemi të bëjmë me një aleat kryesor strategjik të Kosovës”, vlerësoi ai.

Megjithatë, Baraliu thotë se edhe administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, do duhej që të bënte analiza “më të thukëta, më të gjithanshme, në mënyrë që mos të ndikohet nga burime të caktuara propaganduese, qoftë direkte, qoftë indirekte të Rusisë, Serbisë apo të tjerëve”.

“Kosova duhet të bëj përpjekje që sa më parë të rikthehet ky dialog strategjik, qoftë edhe në letër. Duhet të jetë alarm për Qeverinë që të jetë më e kujdesshme, si dhe për Qeveritë e ardhshme, që të kenë kujdes, t’i kultivojnë marrëdhëniet me SHBA-në dhe shtetet e tjera mike, sepse ne jemi të orientuara me këto vende dhe aleancat e tyre, prandaj duhet mirëmbajtur raporti”, Baraliu për Gazetën Enigma.

“Edhe nga Amerika të kenë kujdes, të bëjnë dallime mes shteteve mike reale dhe atyre joreale. Serbia dhe propaganda e tyre të mos merret parasysh”.

“Ambasadori gjerman reagon vend e pa vend”

Sa i përket vërejtjes nga Ambasada Gjermane, Barali thotë se ambasadori gjerman, Jorn Rohde, “shpesh reagon vend e pa vend, jashtë konvencinalitetit të paraparë diplomatik në Konventën e Vjenës dhe detyrat që mund t’i ketë”.

“Dihet cilat janë detyrat e një ambasadori në një vend tjetër. Kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran dhe ndërhyrje në zbatimin e ligjit, sepse ato janë institucione paralele dhe ato janë joligjore dhe jokushtetuese”, tha njohësi i çështjeve politike, për “Enigmën”.

“Shtetet e QUINT-it janë për sundim të ligjit apo për përkrahjen e strukturave ilegale?, pyeti Baraliu.

“Më mirë do të ishte që ata ta bëjnë punën e tyre diplomatike dhe jo të reagojnë menjëherë, sepse kështu po shkaktojnë edhe më tepër shqetësim në popullin e Kosovës”.

Ndërhyrje në zgjedhje?

Nga disa, vendimi i SHBA-së dhe vërejtet nga Ambasada Gjermane, u panë si një lloj ndërhyrje, në prag të zgjedhjeve lokale, ndërkohë që edhe ato nacionale të jashtëzakonshme, po shihen në horizont.

Kjo po shihet si “deja vu”, nga qytetarët e Kosovës, pasi edhe i dërguari i atëhershëm i SHBA-ve, Richard Grenell, dukshëm tentoi të ndërhynte në procesin zgjedhor të vitit 2021.

Për këto dyshime, Baraliu tha se me qëllim apo pa, “po shihet qartë” një ndërhyrje e tillë.

“Dua të jem i prirur që ata nuk kanë qëllime të dëmshme negative, por vetvetiu reagimi në këto situata parazgjedhore lokale, ndërkohë që mund të ketë edhe zgjedhje nacionale të parakohshme, thjesht çon ujë në drejtimin e gabuar, pasi mund të konsiderohet një lloj propagande”, tha ai.

“Kjo nuk është në rregull dhe nuk është në frymën e Konventës së Vjenës. Do duhej të kishin kujdes, pasi me apo pa qëllim, mund të marrin anime dhe animi nuk është as demokratik, as korrekt e as parimor, por është ndërhyrje në proceset demokratike të këtij vendi, shtoi ai.

Zgjedhjet lokale dhe aktgjykimi i radhës nga Gjykata Kushtetuese

Kosova do mbajë zgjedhjet lokale më 12 tetor, ndërkohë që nuk dihet nëse këtyre zgjedhjeve mund t’iu bashkëngjiten edhe ato nacionale të parakohshme, apo nëse këto të fundit do mbahen më vonë pas zgjedhjeve lokale.

Vendi është në pritje të aktgjykimit të radhës nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me ankesën e Listës Serbe, pasi ka dështuar emërimi i nënkryetarit serb në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani dhe partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, i kanë kërkuar Kushtetueses që të miratojë ecjen përpara të formimit të institucioneve, pa nënkryetar serb.

Edhe nëse një gjë e tillë miratohet, Kurti ende nuk i ka numrat për formimimin e Qeverisë së re, çka mund të sjellte një bllokadë tjetër ose zgjedhje të reja. /GAZETA ENIGMA

Related Articles