Thaçi e kërcënoi Surroin e Goranin në Rambuje? – Rubin: Dallohet kërcënimi fizik nga ai moral

Thaçi e kërcënoi Surroin e Goranin në Rambuje? – Rubin: Dallohet kërcënimi fizik nga ai moral

Ish-ndihmëssekretari i Shtetit në administratën e Shteteve të Bashkuara gjatë viteve 1997-2000, James Rubin, edhe sot do ta vazhdojë dëshminë para Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta “Enigma”.

Rubin si dëshmitar është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, ku të hënën e 15 shtatorit dha dëshminë e tij për disa orë, ku foli rreth shumë çështjeve.

Rubin sot u pyet nëse ishte në dijeni nëse Hashim Thaçi kishte kërcënuar Veton Surroin dhe Dukagjin Goranin gjatë negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes në Rambuje.

Për këtë, dëshmitari tha se nuk është në dijeni dhe se tha duhet të bëhet dallimi i kërcënimit fizik nga ai moral.

“Ta ndajmë pak kërcënimin fizik nga ai moral. Jo, nuk kam qenë në dijeni të ketë pasur kërcënim fizik por e di që ka pas presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesore për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që edhe Madeleine Albright e ka kërcënuar Hashim Thaçin. E ka kërcënuar dhe i ka thënë se po nuk nënshkrove po i le njerëzit të pambrojtur nga serbët dhe sigurisht dëgjova që është kërcënuar edhe zoti Demaçi”, tha James Rubin.

Gjatë seancës u prezantua një video-dokumentar i BBC-së, në të cilin reporteri thoshte se fokusi ka qenë tek delegacioni shqiptar. Ai thoshte se ky delegacion kishte zgjedhur një person pa përvojë dhe të ri si udhëheqës të tyre, Hashim Thaçin. Tha se i terë delegacioni e nxiti Thaçin që ta pranonte marrëveshjen por që ai refuzoi sepse marrëveshja nuk kishte përfshirë asgjë me pavarësinë.

Aty u tha se një person me emrin Dugi Gorani thoshte se delegacioni e emëroi Thaçin si drejtues duke mos e ditur se mund të ktheheshin në të burgosurit e tyre.

Veton Surroi kishte thënë se ishte një “po” e shkëlqyer nga të gjitha anët, me përjashtim të Thaçit që ishte shumë i prerë, ngase “tha jo”.

Gorani vazhdoi duke thënë se Thaçi ishte shumë i perë dhe i tha delegacionit ‘shikoni ky dokument, ky formulim është tërësisht i papranueshëm.

Surroi tha se Thaçi përdori gjuhën kërcënuese- dhe mund të kuptohej si kërcënim. E Gorani tha për Thaçin se iu kishte thënë se kushdo që e nënshkruan tani këtë dokument, do ta konsideronte atë si armik të kombit.

Related Articles