Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar sot kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Kaçanikut, Betim Shalën, si dhe listën prej 23 kandidatëve për Kuvend Komunal.
Nga kjo parti u theksua rëndësia historike dhe simbolike e këtyre komunave, duke nënvizuar se LDK-ja është forca e vetme që e sheh Kosovën si një mozaik të përbashkët, ku çdo qytetar dhe çdo komunë kanë peshën dhe vlerën e tyre të barabartë.
“Kaçaniku i Kushtetutës dhe Hani i Elezit mbesin të mëdhenj në simbolikë. Sepse çdo qytet, çdo komunë, është pjesë e mozaikut të Kosovës sonë. Dhe LDK-ja është e vetmja forcë që e sheh këtë mozaik si të tërin. Për ne, nuk ka qytetarë të rëndësishëm dhe të parëndësishëm. Nuk ka komuna të mëdha dhe të vogla. Për ne, çdo qytetar është i barabartë. Çdo komunë është e barabartë. Çdo përpjekje e jona për ta është e barabartë”, shkroi Abdixhiku.