Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së aktorit Enver Petrovci, duke thënë se këtë lajm e mori “me dhimbje e pikëllim”.
“Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë”, shkroi Kurti.
“Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane”.
“Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve”, u shpreh më tej Kurti.