“Gjenerali Jackson tha se s’ka pasur prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik ndaj serbëve”

“Gjenerali Jackson tha se s’ka pasur prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik ndaj serbëve”

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë u paraqit një deklaratë e ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, Gjeneralit Mike Jackson të dhënë gjatë gjykimit në rastin Kontiq në Gjykatën e Lartë në Londër. Kjo deklaratë ishte dhënë më 24 maj 2016 dhe sipas asaj që lexoi në sallën e gjyqit avokatja e Hashim Thaçit, Nina Tavakoli, Jackson kishte thënë se nuk ka prova që UÇK-ja ka kryer akte dhune ndaj serbëve.

“Unë vetë nuk kisha prova…UÇK-ja nga pikëpamja institucionale përmes praktikave të veta po kryente akte terroriste kundër personave – unë s’po them që kjo të mos ketë ndodhur nga persona të caktuar por nuk kam prova që kjo të ketë qenë praktikë e UÇK-së”, kishte thënë Mike Jackson.

Jackson, sipas Tavakolit, i referohej kohës së verës së 1999-ës në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po ju them që nuk kam prova që nga pikëpamja institucionale nuk kam pasur prova që UÇK-ja të ketë praktikë të spastrimit etnik të serbëve që kishin mbetur aty”, kishte thënë Jackson sipas asaj që lexoi avokatja.

Dëshmitari John Duncan tha se pajtohet në këtë rast me vlerësimin e gjeneralit, Mike Jackson.

Përveç kësaj, dëshmitari u pyet nëse Jackson i ka raportuar komandës së NATO-s, se Thaçi ka dirigjuar ose ka kryer akte dhune ndaj civilëve.

“Jo me sa kam unë dijeni”, tha Duncan.

Përpara kësaj, disa pyetje dëshmitarit iu bën në seancë private nga ana e Prokurorisë. Gjithashtu edhe mbrojtja e Rexhep Selimit e përfaqësuar nga avokati, Eric Tully i parashtroi në seancë private disa pyetje dëshmitarit.

Në seancë, dësmitari u pyet për disa emra që shumicën prej tyre tha që nuk i mban mend. Ndërsa, për Shukri Bujën tha që e di se ka qenë komandant zone.

Aktualisht, dëshmitari është duke u marrë në pyetje nga trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

Dëshmitari tha se sa i përket numrit të anëtarëve të UÇK-së, shifrat ishin të ndryshme. Ndërsa, sipas NATO-s numri varionte nga 20 mijë deri në 30 mijë. Sipas tij, kjo shifër u dha pas Marrëveshjes së demilitarizimit dhe se nuk dihet se sa ka qenë numri i saktë.

Related Articles