Deri ku ka arritur kërkimi për kurën e Alzheimerit?

Deri ku ka arritur kërkimi për kurën e Alzheimerit?

Pas dekadash kërkimesh të pasuksesshme, dy barna të reja dhe një test i ri gjaku kanë sjellë së fundmi shpresë për pacientët me Alzheimer, megjithëse ende shumë pyetje mbesin pa përgjigje lidhur me efektivitetin e tyre.

Sëmundja e Alzheimerit përbën rreth 70 për qind të rasteve të demencës në botë dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë te të moshuarit, raporton Science Alert.

Sa efektive janë barnat e reja?

Kompania amerikane Eli Lilly me ilaçin donanemab dhe firmat Biogen e Eisai me lecanemab janë të parat që kanë provuar se ngadalësojnë dukshëm përparimin e Alzheimerit. Lecanemab shitet nën emrin tregtar Leqembi dhe tashmë është miratuar në shumë vende, përfshirë SHBA-në.

Megjithatë, trajtimet janë shumë të shtrenjta, funksionojnë vetëm në fazat e hershme dhe mund të shkaktojnë efekte anësore serioze, përfshirë gjakderdhje në tru. Për këtë arsye, disa shtete kanë vendosur të mos i rimbursojnë. Autoritetet shëndetësore franceze dhe britanike kanë refuzuar pagesën e tyre duke thënë se “përfitimet nuk e justifikojnë koston”.

Neurologu holandez Edo Richard mbetet skeptik.

“Shumë pacientë me biomarkerë të pazakontë kurrë nuk zhvillojnë demencë. Po ashtu, edhe barnat e reja kanë efikasitet të kufizuar”, ka thënë ai.

Derisa deri tani Alzheimeri është diagnostikuar kryesisht me analizimin e lëngut të nxjerrë nga palca kurrizore, një metodë e kushtueshme dhe e dhimbshme, një test i gjakut që zbulon shënuesit biologjikë të sëmundjes është zhvilluar së fundi.

SHBA-ja e ka miratuar testin që nga muaji maj, ndërsa në Evropë ende nuk ka miratim. Britania ka nisur një provë klinike kombëtare.

Dilema është nëse testi i gjakut do të mjaftojë për diagnozë të saktë. Vitin e kaluar, Shoqata Amerikane e Alzheimerit ndryshoi kriteret dhe deklaoi se “vetëm biomarkerët janë të mjaftueshëm”. Por shumica e specialistëve evropianë nuk pajtohen dhe kërkojnë ekzaminim klinik të plotë.

A mund të parandalohet Alzheimeri?
Një pikë dakordësie mes ekspertëve është se rreziku rritet nga faktorë si obeziteti, pirja e duhanit, alkooli, mungesa e aktivitetit fizik dhe humbja e dëgjimit. Një rishikim i botuar në The Lancet tregon se “gati gjysma e rasteve lidhen me këta faktorë”.

Studime të shumta po shqyrtojnë nëse stili i shëndetshëm i jetesës mund ta ngadalësojë sëmundjen. Një studim i publikuar në JAMA gjeti se pacientët që morën mbështetje intensive për ushqyerje e aktivitet fizik për dy vjet patën ngadalësim të lehtë të rënies së aftësive njohëse.

“Për familjet e prekura, ky progres mund të duket i vogël. Por krahasuar me disa vite më parë, është tashmë një hap i madh”, ka thënë epidemiologia franceze Cecilia Samieri.

Ajo shtoi se vetëm studimet afatgjata, 10 deri në 15 vjet, mund të tregojnë me të vërtetë sa ndikojnë këto ndërhyrje.

Related Articles