Ambasada e Italisë në Kosovë ka bërë të ditur se në vend kanë ardhur edhe 24 karabinierë, për shkak të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më 12 tetor.
Në njoftimin e lëshuar në Facebook, ambasada thekson se së bashku me shtetet tjera partnere evropiane do të ndihmojnë në forcimin e sigurisë përpara zgjedhjeve në Kosovë.
“Si pjesë e ‘EUROGENDFOR’, ata po formojnë Njësinë e Formuar të Policisë Rezervë (RFPU) të EULEX-it, duke punuar për të mbështetur stabilitetin dhe për të ndërtuar besimin brenda komuniteteve,” thuhet në njoftim.
Ambasada thekson në fund se Italia mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Dje, po ashtu edhe ambasada franceze në Kosovë ka njoftuar se xhandarmëria kombëtare e këtij vendi ka arritur në Prishtinë.
Në njoftimin e kësaj ambasade thuhet se kjo po ndodh në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Tutje thuhet se ata po marrin pjesë në dislokimin e Njësisë së Policisë Rezervë të Trajnuar të EULEX-it (RFPU) për të mbështetur stabilitetin dhe ndërtimin e besimit.