Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar 15 raste të kontrabandës në Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës, me një vlerë totale të mallrave të identifikuar që tejkalon 60 mijë euro.
Sipas njoftimit zyrtar, mallrat e kapura përfshijnë kryesisht pajisje teknologjike, parfume, pjesë të automjeteve dhe sasi të mëdha të parave të padeklaruara.
“Në total janë evidentuar mbi 15 raste, ku udhëtarët kanë tentuar të fusin në territorin e Republikës së Kosovës mallra të ndryshme pa përmbushur detyrimet ligjore për deklarim,” thuhet në njoftim.
Mallrat më të shpeshta të sekuestruara janë: Telefona të llojit iPhone 17 Pro Max, rreth 33 copë, Parfume origjinale, të importuara pa deklarim përkatës, Pjesë të ndryshme për automjete, të padeklaruara, Mosdeklarim i mjeteve monetare mbi 10,000 euro, ku 25% e shumës është konfiskuar, në përputhje me dispozitat ligjore.
“Vlera e përgjithshme e mallrave të identifikuara në këto raste tejkalon shumën prej 60,000 euro,” shton Dogana në komunikatë.
Dogana ka paralajmëruar se do të vazhdojë me kontrolle rigoroze për të parandaluar kontrabandën dhe shmangien fiskale në të gjitha pikat kufitare të vendit.