Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka bërë thirrje për media që të raportojnë ngjarjet tragjike me kujdes, ndjeshmëri dhe profesionalizëm. Sipas Këshillit, raportimi duhet të zhvillohet vetëm kur ka interes të lartë publik dhe gjithmonë duke respektuar dinjitetin dhe privatësinë e viktimave dhe familjarëve të tyre.
Këshilli ka theksuar se mediat duhet të tregojnë empati dhe vetëpërmbajtje, të mbulojnë identitetin e viktimave dhe të shmangin publikimin e fotografive, videove apo materialeve që mund të jenë të ndjeshme ose të dëmshme për familjarët dhe publikun. Përjashtim bëhet vetëm kur ka interes publik të qartë për viktimat ose personat e zhdukur.
Po ashtu, gazetarët duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet nga vendi i ngjarjes, të paralajmërojnë për përmbajtje të ndjeshme dhe të shmangin raportimin sensacional. Këshilli ka bërë thirrje që media të respektojë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi privatisht dhe të mos ekspozojë gjendjen emocionale të të afërmve apo kategoritë e cenueshme të shoqërisë.
“Jo gjithçka që publikohet nga autoritetet apo burime të tjera duhet marrë si e mirëqenë; gazetarët duhet të tregojnë kujdes se çfarë i ofrojnë publikut,” thuhet në deklaratën e Këshillit.