Sot përfundon masa e përkohshme e Kushtetueses për Kuvendin

Sot përfundon masa e përkohshme e Kushtetueses për Kuvendin

Sot, e martë (30 shtator) përfundon masa e përkohshme që Gjykata Kushtetuese ia caktoi konstituimit të Kuvendit, duke ua ndaluar çfarëdo veprimi apo procedure për formimin e Qeverisë së re.

Vendimi ishte marrë më 6 shtator dhe u bazua në kërkesën e 9 deputetëve të Listës Serbe (LS) dhe të deputetit goran, Adem Hoxha, lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë. Masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga premtja, do të zgjasë deri më 30 shtator, kur më së largu do të pritet një vendim përfundimtar për çështjen.

“Gjykata Kushtetuese njëzëri vendosë – TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve, masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë; TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025”, thuhej në vendim.

Kjo masë është kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka bërë thirrje që të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Në ankesën e Listës Serbe, të deponuar në Gjykatë, është kërkuar që të vendoset masë e përkohshme dhe është shprehur drojë që në rast se deputetët “vazhdojnë me formimin kundërkushtetues të institucioneve” do të cenohet rendin juridik e demokratik në Kosovë.

Related Articles