Këshilli Prokurorial i Kosovës ka hapur konkurs për përzgjedhjen e një anëtari të ri, nga radhët e prokurorive themelore që i përkasin komuniteteve jo-shumicë dhe gjinisë së nënpërfaqësuar.
Pas kësaj shpallje, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë thirrje për një proces të drejtë, që tërheq kandidatë të fuqishëm dhe me integritet.
“Pas shpalljes së Këshillit Prokurorial të Kosovës për një anëtar të ri, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bën thirrje për një proces të drejtë, që tërheq kandidatë të fortë dhe siguron zgjedhjen e një anëtari, integriteti dhe profesionalizmi i të cilit do të forcojë sistemin prokurorial të Kosovës në dobi të publikut”, thuhet në reagimin e tyre transmeton Klankosova.tv.
Tutje, thuhet se duke pasur parasysh rëndësinë e reformës në vazhdim të Këshillit, ashtu siç është përcaktuar në ndryshimet e fundit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Zyra e BE-së thotë se do të ndjekë nga afër procesin e përzgjedhjes.
Po ashtu, theksohet se procedurat transparente dhe të bazuara në meritë janë thelbësore për përparimin e vazhdueshëm të Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.