Gjykata Kushtetuese ka publikuar njoftimin në lidhje me vendimin ndaj kërkesës së parashtruar nga Lista Serbe, duke e vlerësuar kërkesën e kësaj partie si të pranueshme dhe duke e konsideruar Kuvendin si të pakonstituuar.
Kushtetuesja konstaton se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
Gjykata ka urdhëruar që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;
Poashtu, Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;
Kushtetuesja ka kërkuar të vazhdojë masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi.
Kushtetuesja e kishte vendosur masën e përkoshme nga 5 deri më 30 shtator dhe si pasojë u ndalua çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë së re.
Dy aktgjykime paraprake në lidhje me dilemat për mbarëvajtjen e seancës konstituive ishin nxjerrë nga Kushtetuesja, mirëpo nuk kanë kryer punë për të dalë nga ngërçi.
Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar nga Igor Simiq, Slavko Simiq, Verica Qeraniq, Zlatan Elek, Adem Hoxha, Srdan Popoviq, Branislav Nikoliq, Stefan Kovaqeviq, Miljana Nikoliq dhe Ljiljana Stefanoviq, deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Listës Serbe.
Lista Serbe në kërkesën që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, ka kërkuar që votimi për nënkryetarët nga partitë e komuniteteve joshumicë të kthehet në pikën zero, të zhvillohet në mënyrë të unifikuar, apo thënë ndryshe në “pako”, dhe të vendoset masë e përkohshme, në mënyrë që mos të hapet rrugë për rrjedhjen e afateve për formimin e Qeverisë.
Kur u zgjodh më në fund Kryetari i Kuvendit, pas më shumë se gjashtë muajsh bllokadë, u krijua pritja që brenda ditës të zgjidheshin edhe nënkryetarët, dhe kështu të përfundonte procesi njëherë e mirë. Katër prej tyre u zgjodhën, por te i pesti – ai që i takon partisë me shumicë serbe – procesi ngeci sërish, duke e futur vendin në një mjegull të re institucionale.
Ish-partitë e bllokut opozitar nuk ia dhanë votat deputetit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq me arsyetimin që forma qysh ka vepruar Kryetari i Kuvendit nuk është kushtetuese.
Ndërkohë, Lista Serbe nuk pranoi kandidat tjetër pos Sllavko Simiqit, emri i të cilit është propozuar tri herë dhe nuk ka marrë votat e mjaftueshme. Votat nuk i kanë marrë as tetë deputetët tjerë t’u zgjedhur nënkryetar. Si rrjedhojë, pas tri raundeve të gjithë janë eliminuar nga gara, duke i hapur kështu rrugë që kryeparlamentari Basha ta shpallë të konstituar Kuvendin edhe pse pa një nënkryetar.
Seanca konstituive e Kuvendit u mbyll më 28.08.2025 nga kryetari Dimal Basha, anipse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e partive të komunitetit serb.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”- tha Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha gjatë mbylljes së seancës.
Emilja Rexhepi është zgjedhur nënkryetare nga partitë joshumicë joserbe.
Kushtetuta e Kosovës thotë se nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”. Kurse, Rregullorja e Kuvendit parasheh që kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.
Kosova tashmë ka më shumë se gjysmë viti pa institucione të reja, pasi seanca konstituive që ka nisur që më 15 prill, por ende nuk ka përfunduar me një zgjidhje.
Seanca e fundit e legjislaturës së tetë është mbajtur mbajt me 5 dhjetor 2024.
Njoftimi:
Gjykata, njëzëri, ka vendosur:
TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;
TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;
TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.