Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në raportin me titull “Integriteti i kandidatëve për Kryetarë të Komunave në Zgjedhjet Lokale 2025”, ka evidentuar se krahasuar me vitin 2021 kur janë mbajtur zgjedhjet e kaluara lokale, ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve të cilët kanë probleme me ligjin.
“Krahasimisht me zgjedhjet lokale të vitit 2021, IKD gjen se ka progres sa i përket numrit të përgjithshëm të kandidatëve me probleme me ligjin, numrit të kandidatëve me aktakuza aktive dhe numrit të komunave në të cilat garojnë kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin. Progres poashtu vërehet edhe në numrin e partive politike që përfshijnë në listat e tyre kandidatë për kryetarë të komunave. Në vitin 2021 ishin evidentuar katër (4) parti politike, përderisa në zgjedhje lokale 2025, janë evidentuar dy (2) parti politike. Mirëpo, në këto zgjedhje janë evidentuar edhe tri (3) nisma qytetare që kanë paraqitur kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin, përderisa një kandidat tjetër është i pavarur, të cilët formalisht trajtohen si subjekte politike”, thuhet në raportin e IKD-së.
Kurse, IKD-ja thekson se ka regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë.
“Në anën tjetër, IKD evidenton regres sa i përket numrit të kandidatëve me dënime të formës së prerë”, thuhet në raport.
Duke dhënë shpjegime të mëtejshme, IKD thotë se nga 206 kandidatë për kryetarë të komunave, tetë prej tyre janë persona që kanë probleme me ligjin. Katër nga ta, sipas IKD-së, janë me aktakuza aktive mbi bazën e të cilave janë dënuar në shkallë të parë por këto dënime ose janë kthyer në rigjykim ose nuk kanë marrë formën e prerë.
Ndërsa, kandidatë që kanë marrë dënime të formës së prerë, IKDE thekson se janë pesë.
Në anën tjetër, në vitin 2021, sipas IKD-së kanë qenë 10 kandidatë me probleme me ligjin, pra numër më i madh se në vitin 2025.
Gjithashtu, numri i kandidatëve me aktakuza aktive, Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se në vitin 2021 ka qenë nëntë. Kurse, në zgjedhjet e tanishme që pritet të mbahet këtë muaj, është katër.
Në raport thuhet se numri i kandidatëve me dënime penale në vitin 2021 ka qenë dy, kurse në këtë vit është pesë gjë që konsiderohet si regres.
Kurse numri i komunave që garojnë me kandidatë me probleme me ligjin ka shënuar regres në këtë vit. Kjo pasi në viitn 2021 kanë qenë nëntë komuna, e këtë vit janë shtatë.
Sa i përket numrit të partive politike që përfshijnë kandidatë që kanë probleme me ligjin, në vitin 2021 kanë qenë katër, ndërsa në këtë vit janë dy.
Regres është shënuar edhe në numrin e subjekteve politike që përfshijnë kandidatë që kanë probleme me ligjin. Në vitin 2021 kanë qenë katër ndërsa në vitin 2025 janë gjashtë.