Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që ta pranojë si të bazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kundër kandidatit për kryetar të Shtimes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Qemajl Aliu, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
PZAP ka shqiptuar një gjobë prej 2,000 euro ndaj subjektit politik LVV, duke e obliguar që shumën ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit. Po ashtu, është urdhëruar që nga faqja zyrtare e Komunës së Shtimes në Facebook të largohet postimi i shpërndarë më 29 shtator 2025.
Ankesa e PDK-së kishte të bënte me përdorimin e burimeve dhe institucioneve publike për qëllime elektorale, konkretisht me një video të publikuar nga Komuna e Shtimes lidhur me një garë motocross-i në fshatin Mollopolc, ku ishte përfshirë slogani “Vazhdojmë transformimin – Qemajl Aliu”.
Sipas PDK-së, ky veprim përbën shkelje të nenit 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili ndalon përdorimin e burimeve publike në mbështetje të subjekteve politike.
Nga ana tjetër, LVV në përgjigjen e saj kishte mohuar se slogani ishte i kandidatit Aliu, duke theksuar se në video figuron vetëm mbishkrimi “Vazhdojmë transformimin”, i cili, sipas tyre, i referohet progresit të komunës dhe jo fushatës elektorale. Vetë LVV ka theksuar se slogani zyrtar i partisë është “Bashkë”, ndërsa ai i kandidatit Aliu është “Bashkë për Shtimen”.