Qyteti i Durrësit do të presë nesër Samitin e radhës të Procesit Brdo-Brijuni, ku në qendër të diskutimeve do të jetë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe Plani i Rritjes për rajonin, raporton Gazeta “Enigma”.
Ky samit, i cili do të udhëhiqet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vjen në një moment kyç për zhvillimet politike dhe ekonomike në rajon.
Takimi i sivjetmë mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”.
Në samit pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian. Ndër të pranishmit do të jenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e Sllovenisë, Natash Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ai i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Organizatorët kanë theksuar se, përveç rrugës drejt Bashkimit Evropian, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zbatimit të Planit të Rritjes, një iniciativë madhore e Komisionit Evropian për mbështetjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në fund të vitit 2027.
Sipas këtij plani, Kosova pritet të përfitojë gjithsej 880 milionë euro, ndërsa Shqipëria mbi 920 milionë. Serbia do të jetë përfituesja më e madhe me mbi 1.5 miliardë euro, Maqedonia e Veriut me mbi 750 milionë euro, Mali i Zi me 380 milionë euro, dhe Bosnja e Hercegovina me rreth 900 milionë euro. Megjithatë, fondet për Bosnjën janë ulur me dhjetë për qind për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të kërkuara.
Samiti në Durrës pritet të japë sinjale të qarta mbi gatishmërinë politike të vendeve të rajonit për të bashkëpunuar më ngushtë dhe për të përshpejtuar rrugën drejt integrimit evropian, në një kohë kur sfidat gjeopolitike dhe ekonomike kërkojnë një qasje më të bashkërenduar.